Në UBT u mbajt konferenca nacionale për mbrojtjen e të dhënave personale (Foto&Video)
25/05/2018Në prani të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, profesorëve dhe studentëve, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ka zhvilluar punimet konferenca nacionale “Infrastrukturat Kritike të Informacionit dhe Mbrojtja e tyre – CIIP & GDPR”.
Kjo konferencë është më e madhja në vend dhe për shkak të rëndësisë e veçorisë është përkrahur nga ministri të shumta të vendit, si dhe divizione të certeve ndërkombëtare.
Me këtë rast, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka treguar se konferenca u mbajt në ditën kur hyri në fuqi Rregullorja Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDRP), më 25 maj. Sipas tij, kjo rregullore ka kritere të veçanta për të drejtën e privatësisë, pasi që i jep qytetarëve të unionit më shumë të drejta për mënyrën se si përdoret informacioni i tyre personal.
Rektori Hajrizi tha se institucioni po përgatit kuadro profesionale gjithnjë për të qenë në hap me rregulloret e Bashkimit Evropian, teksa kërkoi që institucionet e vendit ta trajtojnë me prioritet këtë sektor.
“Si institucion i arsimit të lartë, kemi për mision të ofrojmë edukim komfor kërkesave dhe nevojave që ka shoqëria, të gjenerojë dije të reja dhe të ndihmojë palët e interesit në vend. Ne veç se jemi marrë me këtë pjesë dhe kemi krijuar një divizion të veçantë në kuadër të Fakultetit Sistemet e Informacionit dhe e kemi akredituar me një program të quajtur Siguria Kibernetike dhe Privatësia. Po ashtu, kemi krijuar edhe UBT CERT, që vepron me një grup të ekspertëve”, tha rektori Hajrizi.
Për të përkrahur punimet e konferencës i pranishëm ishte Deputeti dhe Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, i cili është shprehur i kënaqur që edhe në Kosovë, konkretisht në UBT, po diskutohet mbrojtja e privatësisë si temë globale.
Kurteshi tha se me organizimin e kësaj konference, UBT dhe vendi është në hap, sidomos me hyrjen në fuqi të Rregullores Evropiane për të Drejta Personale.
“Në këtë konferencë, mendoj që kontribut të veçantë do të jep edhe botimi i librit për mbrojtjen e të dhënave personale, ku do t’ju ndihmojë shumë qytetarët të cilët kanë profesione të ndryshme, që t’i kenë njohuritë e duhura për ta mbrojtur privatësinë e tyre”, tha Kurteshi.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Hyzer Gashi theksoi se UBT është bazament i shkencës në Kosovë, andaj kjo konferencë, sipas tij, ka rëndësi të veçantë dhe po mbahet në kohën kur vendi është duke u përgatitur për të hyrë në tregun e Bashkimit Evropian.
Ai tha se mbrojtja e informacionit, arkivimi, dhe rishikimi i të dhënave është kërkesë BE-së, dhe rekomandimet që dalin nga konferenca janë të dobishme për kriteret që do të kërkohen nga BE-ja.
“UBT do të jetë nga institucionet bazamente të shkencës në Kosovë, andaj me organizimin e këtyre aktiviteteve, ku po përgatitemi edhe sektori privat edhe ai shtetëror të kemi një unifikim”, tregoi Gashi.
Zëvendësministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli ka treguar që viti 2018 ka qenë vit i zhvillimeve të rëndësishme në Kosovë, dhe padyshim, sipas tij, kuptim i ka dhënë edhe roli i teknologjisë. Duke qenë kështu, Cakolli tha se është UBT-ja si institucion më inovativ arsimor që i ofron qytetarëve gjithnjë ekspertiza profesionale, sidomos në aspektin teknologjik.
“Më duhet të falënderoj UBT si një identitet, i cili në vazhdimësi angazhohet të jetë në hap me zhvillimet e kohës dhe benifitet t’ja sjell shoqërisë kosovare siç po e bën sot me ketë konferencë”, u shpreh Cakolli.
Në kuadër të këtij aktiviteti është bërë edhe promovimi i librit “Mbrojtja e të Dhënave Personale” i autorit Ruzhdi Jashari, që flet konkretisht për mbrojtjen e të dhënave personale. Botimi është financuar nga UBT, teksa libri trajton aspektet krahasuese në rajon dhe realizimin e intervistave të shumta mbi sfidat e privatësisë.
Gjatë konferencës ekspertë të fushës së sigurisë së informacionit dhe jo vetëm, kanë prezantuar punimet e tyre, derisa është bere edhe prezantimi i GDRP-së dhe ndikimi në Kosovë. Po ashtu, është lancuar Komisioni i Ekspertëve të Kërkimit të Infrastrukturave Kritike të Informacionit, komision i cili do të zhvillojë kërkime dhe studime në siguri kibernetike për mbrojtjen e këtyre infrastrukturave kritike të informacionit në nivel nacional të Republikës së Kosovës dhe rajonit.
UBT Science & Technology Week është aktiviteti kryesor i vitit, i organizuar nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, për të promovuar shkencën në vend.