Në UBT u mbajt Konferenca “Elementet e Sigurisë në Rrugë dhe Auditimi i tyre”
26/05/2023Në qendrën e UBT-së në Prishtinë, është mbajtur konferenca: “Elementet e Sigurisë në Rrugë dhe Auditimi i tyre”, organizuar nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT.
Paneli ishte i përbërë nga rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorët: Nol Dedaj, Beni Kizolli, Visar Baxhuku, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Milaim Ahmetaj, si dhe përfaqësuesit nga Policia e Kosovës, Nazmi Zogaj dhe Naim Latifi.
Në fjalën e tij, rektori Hajrizi vlerësoi organizimin e kësaj konference dhe trajtimin e temave të tilla, të cilat janë me karakter sensibilizues dhe informues, teksa theksoi nevojën për siguri më të shtuar në komunikacionin rrugor.
Panelistët e tjerë me ekspertizën e tyre të thellë dhe përvojën në fushën e sigurisë rrugore, kontribuuan në trajtimin e temave dhe prezantuan informacione të rëndësishme për audiencën.
Në këtë konferencë u prezantuan edhe gjetje të një hulumtimi shkencor lidhur me sigurinë në komunikacion, shkaqet e aksidenteve, si dhe statistika të tjera të cilat lidhen me komunikacionin rrugor.