Në UBT u mbajt debat për rëndësinë e trajtimit institucional dhe profesional të vërshimeve dhe përmbytjeve në nivel vendi

02/02/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, Fakulteti Inxhinieri Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë zhvilloi një debat konstruktiv rreth rëndësisë së trajtimit institucional dhe profesional të vërshimeve dhe përmbytjeve në nivel vendi.

Debatin e hapi dekani i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT, Muhamet Ahmeti, i cili i falënderoi të pranishmit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të dhënë ide dhe mendime rreth faktorëve dhe pasojave që sjellin vërshimet.

Profesori Hazir Çadraku përgjatë diskutimit të tij në kuadër të këtij debati përmendi disa faktorë që kontribuojnë në shfaqjen e vërshimeve dhe përmbytjeve, siç janë: klima, ndryshimet klimatike, ndërtimi gjeologjik, gjeometria e ujëmbledhësit lumor-ujor, përdorimi i tokës dhe morfologjia e luginave lumore.

Ndër të tjera, profesori Skender Bublaku në kuadër të diskutimit dhe prezantimit të tij për të gjeturat e shkaqeve dhe pasojave që vijnë nga vërshimet, theksoi nevojën e analizës së faktorëve natyrorë dhe efekteve të mundshme të ndryshimeve klimatike, instalimit të stacioneve monitoruese të reshjeve dhe rrjedhjeve, përgatitjes së hartave të rrezikut nga përmbytjet, krijimit të digave rrjedhëse për kontrollin e përmbytjeve, si dhe të pellgjeve për mbrojtje nga përmbytjet.

Në këtë debat mori pjesë edhe drejtorja e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit, Besmire Bytyçi, si dhe profesorë dhe studentë të shumtë të UBT-së, ku përmes pyetjeve dhe interaktivitetit të tyre u nxorën përfundime konkrete rreth parandalimit të vërshimeve dhe përmbytjeve në nivel vendi.