Në UBT u diskutua virtualisht për rëndësinë e informimit dhe efiçiencës mediatike
05/05/2021UBT gjithmonë ka shtyrë përpara rëndësinë e informimit nga mediat, edukimin medial dhe lirinë e shtypit, kështu edhe duke krijuar Fakultetin Media dhe Komunikim, që ka sjellë gjenerata e gjenerata që përcjellin dhe ruajnë informacionin e drejtë tek opinioni publik.
Mu për këtë, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, UBT në bashkëpunim me Fakultetin Media dhe Komunikim, ka mbajtur konferencën online me temë: “Rëndësia e informimit dhe efiçienca mediatike”, ku është diskutuar rreth rëndësisë së vlerësimit të informacionit si një nga asetet e interesit të përgjithshëm publik.
Kjo konferencë mblodhi virtualisht shumë ekspertë e profesionistë të fushës së gazetarisë të cilët nxorën në pah tri çështje, transparencën, efiçiencën në konvergjencën mediatike informative, si dhe qëndrueshmërinë e vërtetësisë së lajmeve në media.
Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, në hapje të konferencës vlerësoi se edukimi medial dhe informativ do të duhej të ishte një ndër proceset që do të ndodhte në Kosovë, në mënyrë që të vlerësohej, mbrohej dhe ruhej edhe më mirë gazetaria e mirëfilltë si një nga sferat jetësore, duke fuqizuar edhe më shumë rëndësinë dhe dobinë e informacionit.
Profesori në UBT, Musa Sabedini, tha se media online ende ka probleme të cilat duhen zgjidhur bashkërisht me institucionet pasi që sipas tij mediat janë partnere të tyre.
“Institucionet duhet të bashkëpunojnë me mediat sepse mediat janë partnere. E keqja është se në Kosovë ka media online paralele me ato profesionale të afërta me parti politike, e që bëjnë një problematikë te verifikimi i këtyre mediave”, ka thënë profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Musa Sabedini.
Ish-kryetari i KPM-së, njëherësh ligjërues në UBT, Adnan Merovci, në këtë konferencë vuri theksin te Komisioni i Pavarur i Mediave, mediat e shkruara, mediat online si dhe te vetërregullimi i mediave.
“Është një trend që duhet favorizuar rreth vetërregullimit të mediave, dhe nuk ka më mirë se sa mediat vet të rregullohen. Problemet kryesisht lindin te mediat online, çështja e ilegalitetit e të tjerat, sepse askush nuk i lejon dhe as ndalon ato në veprimet që ndërmarrin, pasi që bota njeh realitete të ndryshme rreth kësaj”, ka thënë ai.
Për institucionet e shtetit dhe raportin që kanë ata me mediat foli profesori dhe eksperti i fushës së medias, Safet Zejnullahu, i cili më shumë vuri theksin tek qasja që institucionet kanë drejtuar mediave.
“Më shumë jam pro qasjes së ndarjes së mediave profesionale dhe atyre joprofesionale, pasi që media në Kosovë duhet të zhvillohet në media profesionale, që e hedh jashtë loje median joprofesionale, dhe ta bëj një kategori mediash cilësore dhe të pa ndikuar”, tha profesori Zejnullahu.
Gazetarja dhe profesoresha e UBT-së, Dafina Lata, ka theksuar se institucionet duhet të bëjnë më shumë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve ndaj sulmeve të ndryshme ndaj secilit medium apo gazetar.
“Institucionet, gjykatat dhe prokuroria duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e gazetarëve me ligjet që janë në fuqi, ndaj sulmeve dhe rreziqeve që iu kanosen atyre përgjatë raportimit që ata bëjnë, duke mos harruar asnjëherë se ata bëjnë raportime edhe në kushte të jashtëzakonshme, siç është rasti me pandeminë”, ka thënë ajo.
Në fund, nga kjo konferencë u konkludua se edukimi medial duhet të jetë aktiv, mediat duhet të kenë më shumë përgjegjësi në atë që raportojnë, të ekzistojnë trajnime të ndryshme me staf të ri për gazetar të rinj, si dhe niveli i etikës të respektohet.
UBT me zhvillimin e Fakultetit Media dhe Komunikim vazhdimisht është duke prodhuar kuadro profesionale në fushën e gazetarisë që luftojnë në të drejtën e tyre për të informuar lirshëm, gjithmonë duke u mbështetur në format e komunikimit dhe parimet e demokracisë.