Në UBT u diskutua për coronavirusin, Kosova ende e paprekur

03/03/2020

Sëmundja vdekjeprurëse e coronavirusit tashmë ka prekur mijëra njerëz nga rreth 56 shtete të botës, megjithatë Kosova vazhdon ende të jetë e paprekur nga ky virus.

 

Si rezultat i përhapjes së këtij virusi në shumë shtete, përfshirë edhe disa në Evropë, me synim të sensibilizimit të qytetarëve dhe me qëllim të informimit rreth masave që janë ndërmarrë në Kosovë, në UBT është mbajtur tryeza e diskutimit me temë: “A jemi të përgatitur për Coronavirus”.

 

Kjo është tryeza e parë e diskutimit që organizohet në Kosovë nga UBT-ja, pas përhapjes së virusit në Kinë, nga i cili kanë vdekur mbi 3 mijë persona.

 

Hapjen e diskutimit e ka bërë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili ka theksuar se debati është organizuar me qëllim për të reflektuar si institucion, por edhe për të treguar gatishmërinë e UBT-së në dhënien e ekspertizave profesionale akademike në këtë drejtim.

 

Rektori Hajrizi tha se duhet të ekzistojë një sistem mirë i dizajnuar ku përfshihen gjitha palët, në mënyrë që të menaxhohen situata të tilla.

 

“Është e nevojshme të bëjmë hulumtime për raste të tilla dhe ka nevojë për analiza akademike. Roli i UBT-së në këtë veprim është i rëndësishëm sepse ka kapacitete dhe ka laboratorët inovativ të mjekësisë. Ky virus konsideroj që duhet të trajtohet në kuadër të praktikave më të mira të menaxhimit, megjithëse sistemi i menaxhimi të informacioneve tek ne nuk funksionon, dhe se të dhënat e pacientëve nuk janë të harmonizuara, për çka duhet të reflektoj Qeveria e Kosovës”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Profesori në UBT, Dukagjin Sokoli tha se situata e krijuar nga ky virus ka shkaktuar panik tek qytetarët e Kosovës, mirëpo sipas tij, kjo situatë mund të menaxhohet nëse qytetarët i përmbahen rekomandimeve të dhëna.

 

“Virusi është përhapur dhe është shumë infektiv. Qytetarët janë të shqetësuar, prandaj është organizuar kjo tryezë për parandalimin e frikës dhe panikës”, tha ai.

 

Fadil Kryeziu nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tregoi se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur nga ky virus.

 

Ai tha se ekipe të infektologëve po qëndrojnë në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe në pikat tokësore kufitare, ku po kontrollohen udhëtarët që vijnë nga shtetet që janë të prekur nga coronavirusi.

 

“30 janari është shpallur emergjencë shëndetësisë publike dhe me këtë rast instituti ka ngritur edhe gjendjen e gatishmërisë. Kosova është vend i rrethuar nga shtetet që kanë shënuar raste pozitive nga ky virus, por nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përfillur gjitha rekomandimet e dhëna për mbrojtje”, tregoi ai.

 

Ndërkaq, specialistja e Ekonologjisë, Drita Zogaj, shprehu shqetësimin që klinika infektive ka mungesë të stafit që janë të specializuar në fushën e këtyre viruseve.

 

“Gjitha pikat që kërkohen nga OBSH-ja i kemi zbatuar, duke filluar nga sensibilizimi i opinionit duke u treguar për masat mbrojtëse. Ka plan të veprimit ani pse laboratorët mjekësor nuk janë të akredituar sepse udhëzimet administrative kërkojnë një gjë të tillë. Tashmë, kemi edhe mungesë të stafit që janë të specializuar në këtë drejtim”, tha ajo.

 

Tutje, pulmologu Xhevat Kurhasani konsideron se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike duhen të krijojnë partneritet me institucione relevante për veprim dhe sensibilizim të opinionit në këtë drejtim.

Ai tregoi se tashmë janë komercializuar maskat, si dhe vërehet dukshëm shtrenjtimi i dezinfektuesve e maskave mbrojtëse.

 

“Sëmundjet ngjitëse janë sfidë në botë, megjithatë në Kosovë këtyre ditëve shqetësues ka qenë edhe gripi sezonal ku qindra nxënës kanë munguar në shkolla shkaku i këtij gripi sezonal. Sa i përket coronavirusit, ajo çka paraqitet në media mendoj që nuk përkon me realitetin në shumicën e rasteve. Ka shtrenjtim të dezinfektuesve dhe janë komercializuar maskat”, theksoi ai.

 

Specialistja e Mikrobiologjisë, Rukije Meka-Kastrati potencoi se vdekshmëria nga coronavirusi ka qenë në numër më të vogël, se sa i çdo virusi tjetër si virusi SARS ose MERS.

 

“Vdekshmëria nga coronavirusi krahas viruseve tjerë deri tash ka qenë e vogël, por ky coronavirusi po ndikon më shumë tek moshat e shtyrë”, tha ajo.

 

Javën e kaluar është konfirmuar edhe rasti i parë në coronavirus në Maqedoni, teksa Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të jenë të paprekura nga ky virus.

Në Kosovë u testuan mbi 30 raste me këtë virus, mirëpo të gjitha rezultuan negative.

 

Ndërkohë, në nivel global, sipas raportit të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike,  janë raportuar mbi 82 mijë raste me COVID-19, derisa në BE dhe Mbretëri të Bashkuar, janë raportuar 477 raste me COVID-19 dhe 14 raste të vdekjes, në Itali 12 raste, si dhe Francë 2 raste.