Në UBT u bë hapja e konferencës “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments”
16/02/2023Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, nisi konferenca “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments”, e cila po organizohet në prag të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nga UBT, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”.
Në hapje të kësaj konference morën pjesë personalitete të shquara nga politika, kultura dhe arsimi në Kosovë, të cilët i dhanë madhështinë kësaj konference dhe rëndësinë e trajtimit të temës që e karakterizon atë, duke u përqendruar në reziliencë, inovacion, teknologji, zhvillim të qëndrueshëm dhe investime strategjike.
Konferencën “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments” e karakterizoi pjesëmarrja e veprimtarit të shquar të çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njërit ndër lobuesit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, Jim Xhema, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, presidentit të Federatës Panshqiptare në Amerikë “VATRA”, Elmi Berisha, presidentit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, Nazar Mehmeti, themeluesit të “Christopher Hyland Inc.” dhe drejtorit të “Hylandtown”, Christopher Hyland, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, presidentit të AESOP-së, Thomas Dillinger, si dhe të Mark Barrett nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se është nder prania e tij sot në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të merrte pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.
“Krahas punëve dhe planeve tona si Qeveri, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm. Por është domosdoshmëri për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë. Prandaj edhe jemi sot dhe jo vetëm sot këtu me juve”, tha kryeministri Kurti.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, ai ritheksoi se planifikimi hapësinor dhe urbanizmi janë fusha tejet të rëndësishme për të cilat UBT ka punuar gjatë, fusha për të cilat UBT ka krijuar programe të posaçme studimi, e që i kanë dhënë karakter tjetër nivelit të studimeve akademike në këtë fushë.
“Kur shohim se çka është bërë për këto 24 vite, jemi dëshmitar të një rimëkëmbjeje të shpejtë- megjithëse fragjile, ri-orientimi socio-ekonomik, si dhe dëshmitarë të një pune të palodhshme për të quar përpara proceset transformuese dhe zhvillimore. E për gjithë këtë duhet të jemi krenarë, edhe ne, por edhe miqtë tanë të cilët kanë qenë edhe përkrahësit, por edhe motivuesit tanë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi”, theksoi rektori Hajrizi.
Veprimtari i shquar i çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lobuesi më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Jim Xhema u shpreh mirënjohës dhe falënderues për mikpritjen duke theksuar nevojën për angazhimin e të rinjve për të studiuar dhe punuar në drejtim të sigurisë dhe ardhmërisë së Kosovës.
“Më duhet që të sigurohem që ju e dini se jeni ardhmëria dhe shpresa jonë. Pa ju nuk ka asgjë dhe nuk do të arrihet shumë. Ju duhet që të punoni e studioni shumë për të punuar për sigurinë e vendit tonë dhe ardhmërinë. Duhet t’i merrni studimet shumë seriozisht. Unë personalisht do të qëndrojë i kyçur me ju këtu dhe do të bëjë fonde me të cilat do të sigurohem që bashkërisht t’i arrijmë qëllimet tona”, u shpreh Jim Xhema.