Në UBT TV u mbajt konferenca online për rolin e infermierit gjatë pandemisë COVID-19 në vendin tonë
13/05/2020Me rastin e shënimit të Ditës së Infermierisë, në vazhdën e mbajtjes së konferencave online përmes të cilave po debatohet për tema shumë aktuale, në Televizionin “UBT” dhe në Radio “Campus”, me frekuencë 100.7FM, është mbajtur video-konferenca me temë: “Roli i infermierit gjatë pandemisë COVID-19 në vendin tonë”, ku është diskutuar rreth rolit dhe rëndësisë së infermierisë, sfidat si dhe profesorët shpalosën përvojat e tyre profesionale.
Hapjen e konferencës e bëri dekani i Fakultetit të Infermierisë, Fitim Alidema, i cili potencoi se në vitet e kaluara me rastin e shënimit e Ditës së Infermierisë së bashku me profesorët dhe studentët e këtij fakulteti kanë dhënë këshilla dhe shërbime falas për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke filluar nga matja e tensionit, matja e glikemisë deri tek shpërndarjen e broshurave.
Profesori Abdullah Gruda, theksoi se për profesionin e Infermierisë sot është një ditë e veçantë pasi që OBSH-ja për herë të parë në histori e ka caktuar vitin 2020 si vit ndërkombëtar i infermierisë dhe mamisë, motoja e së cilës është: infermieria e botës për shëndetin.
“Gjatë punës tonë si infermier ne udhëhiqemi nga një zotim, që njihet si betim i yni ku infermieri betohet që do të kaloj të gjithë jetën në pastërti morale, të ushtroj profesionin me besnikëri, të heq dorë nga çdo gjë që është dashakeqe, nuk do të japë me dijeninë e tij asnjë medikament të dëmshëm, do të bëj çdo gjë për zhvillimin e tij profesional, do të mbaj në fshehtësi çdo gjë personale dhe familjare të pacientit, do të bashkëpunoj me mjekun dhe do të përkushtohet me devotshmëri në mirëqenien e pacientëve”, bëri të ditur Gruda.
Profesoresha Shqipe Agushi duke folur për rolin dhe rëndësinë e profesionit të infermierisë tha se infermieria është shfaq si i vetmi partner kryesor aktiv në çdo përpjekje parësore dhe sekondare për parandalimin e sëmundjeve infektive.
“Në çdo vend pavarësisht zhvillimit socio-ekonomik, infermieria konsiderohet të jetë profesioni i përkushtuar i linjës së parë të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse dhe trajtimit të mirëfilltë të pacientëve. Kapaciteti dhe efektiviteti kryesor i infermierëve zhvillohet edhe më shumë gjatë këtyre krizave siç është tani pandemia, gjatë luftërave si dhe gjatë katastrofave të mëdha natyrore”, konsistoi Agushi.
“Çfarë që të ndodh me ta, sado që nënçmohen nga profesionet tjera, ata nuk duhet ta lëshojnë frontin asnjëherë dhe të jenë gjithmonë me pacientin dhe për pacientin”, ishte mesazhi i profesoreshës Drita Berisha për të gjithë studentët dhe infermierët.
Tutje, Berisha theksoi se me këtë gjendje pandemie të parët që u përballën dhe u përshtatën janë mantilbardhët pra infermierët ku në të gjitha strukturat shëndetësore vullneti i tyre për t’u përballur me të panjohurën dhe për të qenë human siç edhe është thelbi i këtij profesioni si infermier ishte i mrekullueshëm.
“Sfida më e madhe ka qenë rreziku, pra qëndresa deri në fund të jemi të paprekshëm nga kjo pandemi për të vetmin arsye, për betimin që e kemi dhënë”, theksoi profesoresha Drita Berisha.
Ndërkaq profesoresha Nadije Pajaziti potencoi se infermierët përbëjnë më shumë se gjysmën e punonjësve në pjesën e shëndetësisë në botë, mirëpo megjithatë ekziston një mungesë urgjente me 5.9 milion infermierë të tjerë ende të nevojshëm, veçanërisht në vende me të ardhura të ulët dhe të mesme.
“Infermierët janë të rraskapitur nga pune e tyre shqetësuese pasi që janë duke punuar me orë të gjata, me pak pushime, me pajisje të pakëndshme mbrojtëse , për ta bërë punën e tyre sfiduese në luftën kundër pandemisë”, tha Pajaziti.
Profesoresha Ariana Zenuni tha se kjo ditë mbren ndërgjegjesinë dhe vlerën e infermierisë, ndihmon në edukimin e rolit të infermierëve në përmbushjen e nevojave ndaj kujdesit të pacientëve.
Duke iu uruar të gjithë infermierëve dhe studentëve Ditën e Infermierëve, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, theksoi se jo rastësisht ka ndodhur që dita e infermierisë të konsiderohet një ditë ndërkombëtare sepse edhe në kohë të pandemisë edhe në kohën para pandemisë si dhe në të ardhmen është një proces dhe një kompetencë e shenjtë e cila lidhet direkt me njeriun dhe me kujdesin ndaj tij.
“Infermieria është shpallur si një profesion i veçantë në kuadër të Komisionit Evropian, është një kompetencë e barabartë në zingjirin e shërbimeve shëndetësore, prandaj edhe edukimi dhe studimi në këtë drejtim paraqet mundësinë e vazhdimit tutje edhe në nivelin master dhe doktoratë”, potencoi Hajrizi.
Rektori Hajrizi tutje theksoi se, UBT duke e marrë parasysh rolin e shëndetit në përgjithësi është pozicionuar të ndihmojë zhvillimet mjekësore duke përfshi edhe infermierinë, ku stafi shëndetësor prej rreth 200 punonjësve si mësimdhënës janë të angazhuar për studentët tonë për të përgatitur një kuadro me kompetenca, karakteristika dhe atribute të duhura që janë të nevojshme për vendin tone. Pra, shumë e rëndësishme është që profesioni i infermierisë të mos jetë formal, të mos jetë vetëm një diplomë, por thjesht të fitoj një pozicion cilësor.
“Ne si UBT me një infrastrukturë mjaft moderne do të vazhdojmë ta mbështesim profesionin e infermierisë përmes edukimit të nivelit bazë akademik si dhe me specializime në nivelin master në fusha të caktuara. Poashtu ofrojmë trajnime të vazhdueshme në poliklinikën e UBT-së, e cila është një qendër mjaft inovative, një qendër që mundëson stimulimin e aspekteve klinike e cila si e tillë është themeluar dhe zbatuar për herë të parë në Ballkan”, bëri të ditur prof.dr. Edmond Hajrizi.
Ndërkaq, rektori Hajrizi potencoi se si vlerë shtesë infermierisë do t’i shtojmë edhe elementet e digjitalizimit dhe shërbimeve përmes teknologjive të reja, ku pacienti mund të monitorohet në kohë reale 24/7, me anë të se cilës diagnostikimet dhe parandalimet e sëmundjeve të ndryshme do të zhvillohen në mënyrë më cilësore.
Detajet e konferencës i gjeni në linlkun: https://www.youtube.com/watch?v=_5hR-ZpcDKc