Në UBT shënohet Dita Botërore e Ujit

22/03/2024

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në Ditën Botërore të Ujit, nën organizimin e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, u zhvillua një diskutim i hapur me temën: “Uji për Paqe”.

Prorektori Prof. Dr. Binak Beqaj dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Ndërtimit, Prof. Dr Visar Krelani, i përshëndetën pjesëmarrësit dhe folën për rëndësinë e mbrojtjes së ujërave.

Prorektori Beqaj nënvizoi domosdoshmërinë e përkushtimit të të gjithë aktorëve në mbrojtjen e burimeve të ujit në shoqërinë tonë. Gjithashtu Beqaj theksoi rolin e institucioneve arsimore në kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive për trajtimin dhe ruajtjen e ujërave.

Në ngjarje ishte i pranishëm edhe Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, duke shfaqur angazhimin e institucioneve qeveritare në këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e mjedisit dhe të shoqërisë në tërësi.

Profesorët nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit dhe Teknologjisë Ushqimore, prezantuan gjendjen e ujërave në Kosovë dhe diskutuan me pjesëmarrësit për sfidat dhe zgjidhjet potenciale.

Pjesëmarrësit, përfshirë gjimnazistë, studentë dhe profesorë, shprehën mendimet, komentet, dhe sugjerimet e tyre, duke vënë në pah nevojën për veprime më të fuqishme për të ruajtur dhe mbrojtur burimet ujore.

Profesori Hazir Çadraku në përmbyllje falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në përcjelljen e rëndësisë së ruajtjes së burimeve ujore dhe në nevojën për një menaxhim të integruar të tyre.