Në UBT shënohet 1 qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

01/06/2023

Shkëlqim, energji e shumë dashuri, këto janë disa nga gjërat që karakterizuan 1 qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në Qytetin e Mençur, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan.

Në këtë ditë të veçantë, UBT u bë vendi i gëzimit dhe shfaqjes së talentit të fëmijëve. Shumë aktivitete të këndshme dhe argëtuese u organizuan për të krijuar një ambient të lumtur dhe frymëzues për të gjithë fëmijët.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe drejtoresha e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët UBT, Hajrije Devetaku, theksuan rëndësinë e arsimit cilësor dhe zhvillimit të aftësive të fëmijëve, duke thënë se kjo ditë është një mundësi e shkëlqyer për të nxitur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar një mjedis shoqëror të sigurt dhe mbështetës për të gjithë fëmijët.

Në kuadër të aktiviteteve të shumta, për vizitë në Poliklinikën e UBT-së qëndruan edhe fëmijët e Shkollës “Mileniumi i Tretë”. Me këtë rast, Katedra e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive së bashku me Katedrën e Ortopedisë së Nofullave, gjegjësisht Spec. Dr. Afërdita Gashi – Rizaj, Spec. Dr. Merita Sadiku, Spec. Dr. Vesel Rrustemaj, ekzaminuan klinikisht fëmijët duke e marr statusin dentar, identifikuan karies në dhëmbët e qumështit dhe të përhershëm, si dhe nevojën për masat preventive dhe indikacionet për terapi ortodontike.

Me stafin e mrekullueshëm të UBT-së, fëmijët kaluan një ditë të paharrueshme me lojëra, punëtori, prezantime artistike dhe shumë aktivitete të tjera që i sollën buzëqeshjen dhe kënaqësinë në fytyrat e tyre.