Në UBT mbahet një diskutim konstruktiv për biznesin dhe teknologjinë me Frank Hysën

27/07/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan u organizua një diskutim i hapur dhe mjaft konstruktiv rreth fushës së biznesit, inovacionit dhe të teknologjisë me Frank Hysën, drejtor i inovacionit në kompaninë e njohur të konsulencës “Capgemini” në San Francisco.

Ai u mirëprit nga rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili i uroi mirëseardhje në UBT dhe e falënderoi atë për gatishmërinë për të diskutuar me të pranishmit mbi këtë çështje.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Frank Hysa tha se biznesi po e përshpejton botën dhe vlerësoi rolin e UBT-së në raport me industrinë.

“Ju jeni në trajektoren e duhur në raport me industrinë. Hapat e ardhshëm gjatë pesë viteve të ardhshme janë sjellja e talenteve brenda atyre organizatave, duke u ofruar qasje në kërkimet tuaja, si dhe t’i shtyni njerëzit të krijojnë sa më shumë start-ups. Kështu që, ju duhet të mendoni se si munden organizatat edhe nëse janë të vogla të ndërtojnë kompani të reja, spin-offe të reja, të bëjnë eksperimente të reja në të gjithë ekosistemin e UBT-së”, deklaroi ai mes tjerash.

Rektori Hajrizi potencoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes bizneseve dhe ekosistemit të UBT-së, për të krijuar mundësi të reja dhe për të ndërtuar një koncept më të mirë për të gjithë ata që duan të përfshihen në fushën e biznesit dhe të teknologjisë.

“UBT duke pasur një lloj infrastrukture të mirë dhe me ekspertizë shumë të mirë, mendoj se duhet të kemi gjithnjë e më shumë ndikim. Pra, ne kemi ndikim në shoqëri, por fluksin e produktivitetit për start-ups mund ta shtojmë. Ne i ftojmë të gjitha bizneset të na bashkohen në ekosistemin e UBT-së, duke ofruar kështu një perspektivë më të mirë për ta dhe për të rinjtë”, u shpreh rektori Hajrizi.

Frank Hysa është drejtor i inovacionit në kompaninë e njohur të konsulencës “Capgemini”, konkretisht udhëheq departamentin që quhet shkëmbimi i inovacioneve të aplikuara në San Francisco, me fokus të krijohet një rritje më e madhe dhe kontribut në impaktin që ka Silicon Valley Ecosystem.

Ai ka fituar titullin Ph.D., mbi strategjitë e hapura të inovacionit dhe ka mbi 10 vjet përvojë në menaxhimin e inovacionit duke punuar me korporata, startup-e dhe ekosisteme teknologjike.

Ai është gjithashtu një mentor në disa nga komunitetet më të mëdha të startup-eve në botë, duke përfshirë institutin Founder dhe Startup Grind. Ka lindur në Shqipëri, teksa ka kaluar mbi 20 vjet nëpër Evropë dhe aktualisht me qendër në San Francisko, CA.