Në UBT mbahet Konferenca për Lidership – fokusi kryesor në lidershipin e grave dhe integrimin e minoriteteve

20/07/2024

Në Parkun Shkencor, Teknologjik dhe Inovativ të UBT-së në Lipjan u mbajt Konferenca për Lidership, me temën qendrore: “Thyerja e Barrierave: Lidershipi i Grave dhe Integrimi i Minoriteteve”. Konferenca mblodhi personalitete të njohura nga fusha akademike dhe politike për të diskutuar mbi rëndësinë e lidershipit dhe integrimin e minoriteteve.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi; ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga; Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi; profesori nga Universiteti i Harvardit, Dr. Ronald Heifetz, profesori Faton Limani, dhe shumë të tjerë.

Në hapje të konferencës, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e fuqizimit të pozitës së gruas nëpërmjet edukimit cilësor dhe fuqizimit ekonomik.

“UBT është munduar të instalojë politikën e forcimit të pozitës së gruas përmes ofrimit të edukimit cilësor dhe fuqizimit ekonomik të tyre. Si UBT gjithmonë i kemi kushtuar rëndësi të madhe angazhimit të gruas dhe si rezultat i këtij përkushtimi, ne sot fatmirësisht rezultojmë të jemi institucioni i parë me numrin më të madh të grave të punësuara në rajon, dhe atë, të gjitha në pozita udhëheqëse”, tha Rektori Hajrizi.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga tha, “Është gjithmonë kënaqësi të ndaj këtë përvojë shumëvjeçare me njerëz të vendit tim si dhe me rininë e mrekullueshme të Kosovës. E ardhmja le të jetë e përbashkët, e të gjithëve. Në Kosovën e të gjithëve ka vend për të gjithë dhe ky është vizioni ynë për të ardhmen”. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së të gjitha grupeve në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe të drejtë.

Profesori nga Universiteti i Harvardit, Dr. Ronald Heifetz, në fjalën e tij tha se lidershipi është kyç për përparimin shoqëror dhe ekonomik. Është thelbësore që liderët të kenë aftësinë të drejtojnë me empati dhe të përfshijnë zërat e ndryshëm në proceset vendimmarrëse. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë një mjedis që nxit inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Konferenca u nda në dy panele diskutimi. Paneli i parë, moderuar nga Merita Limani, përfshiu diskutimin e Zëvendëskryeministres Emilija Rexhepi mbi rëndësinë e përfaqësimit institucional të grave dhe minoriteteve. Rexhepi theksoi se përfaqësimi i barabartë në institucionet shtetërore dhe vendimmarrëse është një hap i rëndësishëm drejt barazisë dhe drejtësisë shoqërore. Ajo ndau përvojat dhe sfidat e saj personale në përfaqësimin e minoriteteve dhe rolin e grave në politikat publike.

Paneli i dytë, moderuar nga Dr. Adelina Emini, trajtoi temën “Inclusive Leadership – Challenges and Opportunities”. Sakibe Jashari, një nga folëset kryesore, diskutoi mbi sfidat që gratë përballen në rolet drejtuese dhe mënyrat për t’i kapërcyer ato. Dr. Valentina Dedi theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta dhe ofrimit të mbështetjes për gratë dhe minoritetet për të arritur sukses në karrierat e tyre.

Gjithashtu, sesioni interaktiv për zhvillimin e lidershipit për gratë dhe grupet minoritare u drejtua nga Faton Limani dhe Shqipe Vela, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive dhe trajnimin për diversitet. Ky sesion ofroi pjesëmarrësve një mundësi unike për të ndërtuar aftësitë e tyre drejtuese dhe për të mësuar teknika të reja për të promovuar diversitetin dhe përfshirjen në vendet e tyre të punës.