Në UBT ligjërohet për pronësinë intelektuale

08/06/2018

Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në Kosovë, Valon Kashtanjeva, për studentët e Fakultetit Juridik në UBT, mbajti ligjëratë tematike më titull: “Pronësia Intelektuale”, përmes të cilës ai tregoi shembuj praktik të mbrojtjes juridike të të drejtave të autorit.

 

Kashtanjeva ka folur edhe për patentimin, markat tregtare, dizajnin industrial, për të cilat tha se është ndërtuar infrastruktura ligjore për të drejtat e autorit dhe të drejta e përafërta. Ai tha se pronësia intelektuale ka rëndësi të madhe për zhvillimin e kulturës, shkencës dhe teknologjisë së vendit.

 

Tutje, ai tregoi se pronësia intelektuale, përkatësisht e drejta e autorit gjithnjë e më tepër po tregohet si faktor ndikues në ekonominë e tregut dhe zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj sipas tij, respektimi dhe zbatimi i drejtës së autorit është tejet me rëndësi.

 

Ai ju tregoi studentëve se përveç zhvillimit ekonomik zbatimi i drejtës së autorit ndikon po ashtu në stimulimin e krijimtarisë kulturore dhe kreative.

 

Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta ka për detyrë zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, përmes licencimit dhe të mbikëqyrjes së shoqatave për administrim kolektiv të të drejtave, ngritjes së vetëdijes, ofrimit të informatave aftësuese dhe edukuese lidhur me zbatimin e drejtës së autorit, si dhe krijimin e raporteve të bashkëpunimit me zyrat si motra nga vendet e rajonit dhe të BE-së.