Në shkollën verore të Fakultetit të Muzikës diskutohet mbi “Zhvillimin muzikor në kohën bashkëkohore”

11/07/2024

Fakulteti Muzika Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi në edicionin e sivjetmë të Akademisë Verore, në kuadër të Global UBT Fest, kishte në fokus zhvillimin muzikor në kohën bashkëkohore.

Profesorë e pjesëmarrës patën rastin të diskutojnë mbi përdorimin e teknologjisë në prodhimin muzikor, shkrirjen e zhanreve muzikore, kontekstin global dhe kulturat e ndryshme, për muzikën si mjet për ndryshim shoqëror e shumë çështje të tjera në interes të përgjithshëm.

Në sesionet të cilat u zhvilluan në kuadër të kësaj shkolle verore, u potencua se zhvillimi i muzikës në kohën bashkëkohore veç tjerash karakterizohet me inkorporimin e teknologjive dhe ideve të reja, duke tejkaluar metodat tradicionale të prodhimit e realizimit. Gjithashtu pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e muzikës si mjet për të trajtuar tema të ndryshme politike e sociale deri në nivel global.

Pjesëmarrësit morën njohuritë dhe praktikat më të mira nga profesorët dhe ekspertët e kësaj fushe, sikurse Korab Shaqiri, Adelina Thaçi, Ulpiana Aliaj, Tomor Kuqi, Lindita Isufi, Klevis Gjergji, Leutrina Pireva, Luan Durmishi, Dukagjin Muhaxheri, Fatlume Bunjaku, e shumë të tjerë.