Në Prizren u bë inaugurimi i UBT Start Up School
03/07/2024Në Prizren, në mesin e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe private, ndërmarrësve, profesorëve, studentëve dhe nxënësve, u bë inaugurimi i shkollës së ndërmarrësisë, UBT Start Up School. Quality Kosova me mbështjetjen e ITP-së përmes GIZ-it Gjerman ka themeluar UBT Start-UP School, një iniciativë e cila ka për qëllim rritjen e aftësive dhe talentit të të rinjve në fushën e biznesit dhe inovacionit në Kosovë.
Në ceremoninë e inaugurimit, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, drejtor i Quality Kosova dhe themelues i UBT Start Up School, në fjalimin e tij shprehu synimin e shkollës për të promovuar njohuritë dhe aftësitë e rinisë në sipërmarrje.
“Shkolla e Ndërmarrësisë është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të Kosovës, duke ofruar trajnim praktik dhe mentorim profesional për të rinjtë tanë. Ne besojmë se investimi në ta është investimi në të ardhmen tonë,” tha Hajrizi.
Hanns – Juergen Cassens, Drejtor i ITP-së, theksoi rëndësinë e kësaj shkolle në përgatitjen e të rinjve për sfidat dhe mundësitë e botës së biznesit dhe teknologjisë, duke shtuar se ky është një hap i madh drejt një shoqërie më të fuqishme dhe inovative.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, përderisa foli për rëndësinë e kësaj nisme për qytetin dhe komunitetin, shprehu vlerësimin e tij për projektin, duke e cilësuar atë si një mundësi për të zhvilluar talentet dhe aftësitë ndërmarrëse të të rinjve të Kosovës.
Besnik Skenderi, menaxher i projektit, shtoi se UBT Start Up School është një investim në të ardhmen e Kosovës, duke ofruar një platformë të nevojshme për zhvillimin e potencialit sipërmarrës tek të rinjtë dhe studentët e universitetit.
Ceremonia e inaugurimit përfundoi me një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh, ku u diskutua më tej rreth detajeve dhe planeve të shkollës së ndërmarrësisë, duke ofruar mundësi për të gjithë pjesëmarrësit për të marrë informacion mbi programin dhe për të kontribuar në rrugën e suksesit të UBT Start Up School.
Ky hap i madh shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë e zhvillimit të Kosovës, duke e nxitur potencialin dhe talentin e të rinjve në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit.