Në një ceremoni të veçantë, shpërndahen certifikatat për studentët e UBT-së në kuadër të “Let’s Talk About European Union”

14/06/2024

Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Ambasada e Finlandës, u shpërndanë certifikatat për kursin gjashtë-mujor “Let’s Talk About European Union”. Ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, ndau certifikatat për studentët e Fakultetit të Shkencave Politike, Psikologjisë dhe Juridikut në UBT.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm: Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike, Hajdi Xhixha, Dekania e Fakultetit të Psikologjisë, Denis Celcima, dhe Dekani i Fakultetit të Juridikut, Ahmet Maloku.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Nissinen vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe rëndësinë e njohurive të fituara për Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu njoftoi se do të ketë mundësi për një edicion të tretë në vitin e ardhshëm akademik, duke lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet Ambasadës së Finlandës dhe UBT-së.

Kjo ceremoni shënoi një moment të rëndësishëm për studentët dhe stafin akademik, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e studimeve evropiane.