Në një ceremoni madhështore në UBT, u bë hapja e Kongresit të Tretë të Forenzikës Kosovë – Turqi

25/05/2024

Një ngjarje e rëndësishme për fushën e drejtësisë u shënua në UBT, ku u zhvillua me sukses hapja e Kongresit të Tretë të Forenzikës Kosovë – Turqi.

Në hapjen e këtij kongresi morën pjesë personalitete të rëndësishme, si Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe përfaqësues si Prof. Dr. Irfan Karadede nga Universiteti Izmir Katip Çelebi, Prof. Dr. Sevinç Polat nga Universiteti Yozgat Bozok, si dhe Prof. Dr. Ilirjan Mandro, rektor i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë. Ndër të pranishmit ishin edhe figura të rëndësishme të drejtësisë dhe politikës si Kryeprokurori i shtetit, Besim Kelmendi, Zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarishku, dhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

Në një fjalë rasti para të pranishmëve Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi tha se ky është mesazh që forenzika është një ekosistem në të cilin duhet të ndërlidhen të gjitha palët e interesit si në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

“Kjo traditë e cila ka ndodhur edhe njëherë paraprakisht që të mbahet mes Kosovës dhe Turqisë, të vazhdojë si format tradicional për të vazhduar me kongrese të tilla edhe në vitet tjera në Kosovë, në Turqi dhe mendojmë që në të ardhmen të vendosen edhe shtetet tjera fqinje sikurse Shqipëria, që të krijojmë kështu një miqësi të mirë. Mendoj se shkenca e Forenzikës është një dimension shumë interesant dhe kompleks. Ka edhe një ndërlidhje apo më mirë të themi një ndikim edhe nga teknologjitë e reja që po zhvillohen tash e tutje. Dhe nga ky kompleksitet dhe ky nivel kërkohet edhe një qasje më e madhe akademike dhe shkencore, dhe një qasje edhe më e mirë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në nivelin nacional dhe ndërkombëtare, në mënyrë që ne të krijojmë metoda më të mira, qasje më të mira, vegla më të mira, involvim të teknologjive të avancuara sa më mirë dhe sa më lehtë, në mënyrë që cilësia e shërbimeve dhe i gjithë spektri i Forenzikës, të trajtohet apo punohet sa më mirë”, deklaroi Rektori Hajrizi.

Kongresi synon të shërbejë si platformë për ndarjen e njohurive dhe përvojave të fundit në forenzikë, duke përfshirë teknikat më të reja të analizave kriminalistike.