Në Mitrovicë fillon punëtoria për Dizajn dhe Zhvillim Urban

30/10/2019

Ka filluar të jetësohet marrëveshja e bashkëpunimit që është nënshkruar ditë më parë nga UBT, Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe UN-Habitat, në kuadër të së cilës ishte paraparë edhe mbajtja e punëtorisë për Dizajn dhe Zhvillim Urban.

 

Punëtoria tashmë ka filluar punimet dhe është duke u mbajtur në Mitrovicë, ku ka mbledhur grupin punues prej rreth 30 studentëve që kanë përgatitje akademike përfshirë në fushat: arkitekturë, planifikim urban, mjedis, sociologji dhe ekonomi.

 

Grupi punues së bashku me përfaqësuesit e lagjeve u mblodhën për të ndarë përvojat, idetë, si dhe për të dhënë ekspertiza profesionale në këtë drejtim.

 

Në hapjen e punëtorisë, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi tha se institucioni që ai drejton do t’u ofrojë bashkëpunim palëve të interesit në fushën e urbanizmit, si dhe do të ndihmojë komunat dhe komunitetin në implementimin e projekteve të tilla.

Hajrizi tha se projekti u mundëson studentëve pjesëmarrës marrjen e përvojave profesionale në profesionin që ata kanë zgjedhur.

 

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Faruk Muja falënderoi UBT-në dhe UN-Habitat për mbështetjen e dhënë në aspektin akademik, si dhe mbështetjen e dhënë me kapacitete humane e logjistike.

 

Tutje, profesorët në Fakultetin Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Binak Beqaj dhe Elvida Pallaska mbajtën ligjërata tematike për studentët dhe të pranishmit të tjerë.

Më pas, grupet punuese vazhduan punimet e parapara të projektit, ku përgjatë një jave do të hartojnë koncepte që do të përfshihen në strategjitë zhvillimore të komunës, si dhe do të implementohen në praktikë.

 

Punëtoria do të përmbyllë punimet të premten, më 1 nëntor, ndërkaq rezultatet e punëtorisë do  prezantohen në Ditën Botërore të Planifikimit, konkretisht më 8 nëntor.