Në mesin e organizatave më prestigjioze botërore për ndërtimtari dhe infrastrukturë, UBT mori pjesë në Konferencën e RILEM

15/05/2024

Në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare të Fakultetit të Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, kontaktet dhe prezantimet në konferencat dhe aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare vazhdojnë.

RILEM, organizata botërore e laboratorëve dhe hulumtimeve, ka ftuar stafin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT të jetë pjesë e komiteteve shkencore. Në veçanti, vlen të theksohet se RILEM ka bashkë-sponsorizuar Konferencën ndërkombëtare të UBT-së në Fushën e Ndërtimit IC-CEIE 2023.

Gjithashtu, në bashkëpunim me kolegët nga Politekniku i Milanos, si Prof. Liberato Ferrara, Prof. Patrick Bamonte, Prof. Giovanni Muciaccia dhe Prof. Francesco Lo Monte, stafi i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës vazhdimisht ka kontakte dhe bashkëpunim për të avancuar nivelin e arsimimit dhe edukimit në Kosovë. Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se UBT është kandidat i parë për nivelin Master në Inxhinieri Ndërtimi dhe Arkitekture në Kosovë.

Bashkëpunimi me RILEM dhe industrinë ka sjellë edhe kontakte të ngushta me kompani si “Penetron Italia”, “Penetron Hellas”, “Penetech”, etj. Këto bashkëpunime kanë mundësuar pjesëmarrjen tonë në Konferencën e RILEM Spring 2024, e cila ka trajtuar temën “Materialet dhe proceset e ndërtimit të avancuar për një shoqëri karbon neutral”.

Në këtë konferencë, ku morën pjesë organizata botërore e laboratorëve dhe materialeve të RILEM, u mblodhën pjesëmarrës nga vende, si: Amerika, Kanadaja, Singapori, Kina, Britania e Madhe, Italia, India, Brazili, dhe shumë vende të tjera.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Prof. Visar Krelani, ka pasur aktivitete të shumta dhe ka mbajtur takime me universitetet e Brukselit, Los Angeles, Politeknikun e Milanos, Universitetin e Leeds-it, Universitetin Teknik të Dresden-it, etj. Në këto takime është premtuar bashkëpunim dhe realizimi i projekteve të përbashkëta.

Një pikë kyçe e vizitës ishte takimi me përfaqësuesit e RILEM World, të cilët premtuan të vizitojnë Kosovën dhe të trajtojnë mundësinë e bashkë-sponsorizimit të konferencës së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT.