Në “Gobal UBT Fest 2020” mbahet eventi APP FAIR, prezantohen aplikacione inovative të studentëve

05/08/2020

Është mbajtur eventi APP FAIR ku studentët dhe përfaqësuesit e kompanive të ndryshme që janë të suksesshme në treg, kanë prezantuar aplikacione të cilat i kanë zhvilluar gjatë studimeve. Në këtë event është prezantuar një aplikacion i cili ka të bëj me automatizimin e të gjitha raporteve dhe evidencave në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Të dhënat e çdo nxënësi ruhen që nga regjistrimi në klasë të parë deri në përfundimin e shkollës fillore dhe të mesme, dhe këto të dhëna do të jenë të qasshme nga institucionet si fakultetet publike apo Ministria e Arsimit në Kosovë. Enes Shala është autor i këtij aplikacioni i cili u shpreh se “APP FAIR” ka qenë një ide e qëlluar në promovimin e ideve inovative.

 

Nga ana tjetër, Diamant Shala, ka prezantuar idenë e tij për ndryshimin e disa funksionaliteteve në aplikacionin e famshëm Snapchat. Ai ka falënderuar UBT-në për mundësinë, për të qenë pjesë e këtij eventi, si dhe për organizimin e suksesshëm të tij. Kurse, Rinor Bislimi, para të pranishmëve në mënyrë virtuale, ka prezantuar aplikacionin Mëso ABC. Ky aplikacion shërben kryesisht për fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, të cilëve u mundëson mësimin e të folurit dhe argëtimit në gjuhën shqipe. Me anë të këtij aplikacioni fëmijëve u mundësohet zhvillimi i intelegjencës me metoda të ndryshme.

 

Ndërkaq, Jehona Konushevci, ka prezantuar aplikacionin Education Management System (Sistemi i Menaxhimit të Edukimit). Ky aplikacion, si qëllim ka sigurimin e një platforme qendrore bashkëpunimi midis prindërve, studentëve dhe mësuesve, si dhe rritjen e transaprencës në procesin arsimor të një studenti në shkollën fillore dhe të mesme.

 

Ky event është mbajtur në kuadër të “Global UBT FEST 2020”, që UBT këtë vit po e sjellë për herë të parë në Kosovë, duke e dëshmuar edhe një herë lidershipin jo vetëm në vend por edhe në rajon.