Në Ditën e Vajzave në ICT, UBT trajnon rreth 200 të reja të Kosovës për siguri kibernetike

26/04/2019

Rreth 200 të reja të Kosovës, studente të UBT-së, si dhe të universiteteve dhe kolegjeve tjera publike dhe private, kanë marrë pjesë në punëtorinë “Tech4Girls Workshop – UBT Girls in ICT Day”, që u organizua nga UBT dhe Qendra e UBT-së për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, për nder të Ditës së Vajzave ne ICT.

 

Me këtë rast, pjesëmarrëseve u është ofruar trajnim pa pagesë nga UBT, trajnim i certifikuar nga Cisco Networking Academy, e që ka të bëjë me sigurinë kibernetike.

Një pjesën e parë të punëtorisë, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për mënyrën se si të mbrohet privatësia në kohën e zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe internetit, teksa foli edhe për sfidat me të cilat po përballen kompanitë dhe institucionet e shumta.

 

Abazi bëri të ditur se sulmet kibernetike po ndodhin për përfitime shtetërore, spiunazhe industriale apo edhe sulme tjera individuale, ku tha se ky trajnim ka për qëllim marrjen e njohurive shtesë dhe mbrojtja nga këto sulme.

 

Tutje, ai përmendi një ndër sulmet më të mëdha kibernetike, sulmi i Stuxnet Worm, që ka të bëjë me dëmtimin e centrifugave të objekteve bërthamore, ku potencoi se sulmuesit zakonisht mbledhin të dhënat e kompanive shpesh herë për ti shitur ato ose edhe për përfitime financiare.

 

Në pjesën e dytë të trajnimit, hulumtuesi amerikan i sigurisë kibernetike, Daniel Bohannon, ka demonstruar drejtpërdrejt një sulm kibernetik për të parë teknikat dhe procedurat që zakonisht sulmuesit kibernetikë përdorin.

 

Punëtoria do të ketë edhe sesione tjera, teksa për vijim të suksesshëm të kësaj punëtorie, në fund pjesëmarrëset do të marrin edhe certifikata nga UBT.