Në ditën e tretë të Akademisë Verore të Fakultetit Juridik, u diskutua rreth të drejtës së informacionit dhe cenimit të privatësisë

15/07/2020

Në ditën e tretë të aktivitetit të Fakultetit  Juridik në kuadër të “Global UBT Fest 2020”, për studentët pjesëmarrës janë prezantuar temat në të cilat u diskutua rreth të drejtës së informacionit dhe cenimit të privatësisë.

Në sesionin e parë të akademisë, ka ligjëruar zëvendës drejtori i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Jeton Arifi, i cili e trajtoi temën me titull: “E Drejta e Informacionit në Kosovë”, ku ka shtjelluar metodën e shqyrtimit të ankesave apo kërkesave, familjarizimin e qytetarëve në pjesën e dorëzimeve elektronike, informimin e publikut, si dhe promovimin dhe përkrahjen e të drejtave themelore për mbrojtjen e të dhënave personale.

Arifi po ashtu ka përmendur disa nga objektivat të Agjencisë për Informim dhe Privatësi që tenton të arrijë: ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë, qasjen në dokumente publike, mbikëqyrjen e ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave përmes inspektimeve dhe kontrolleve si dhe kontrollin e ofrimit të qasjeve në dokumente publike nga institucionet publike.

Gjatë këtij cikli ligjëratash, tutje prezantoni drejtori në departamentin për të drejtat e informimit, Valon Kryeziu, i cili e shtjelloi temën: “Mbrojtja e privatësisë në zonën e TI-së”. Kryeziu ka folur më detaisht rreth aspekteve legjislative, rregullimit ligjor, parimet dhe masat e përpunimit të të dhënave personale, të drejtat e subjekteve, ndarjen dhe klasifikimin e të dhënave, përpunimin e të dhënave nëpërmjet sistemeve dhe programeve të IT-së, ndikimin e këtyre të dhënave në privatësi, përpunimi i të dhënave shëndetësore ne kohën e pandemis COVId-19 si dhe kompetencat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.