Në ditën e dytë të Javës Globale të Ndërmarrësisë, lansohet platforma interaktive e UBT STATS

15/11/2018

Në UBT ka zhvilluar punimet dita e dytë e aktivitetit Java Globale e Ndërmarrësisë, pjesë e së cilës ishin dhjetëra studentë, profesorë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, me ç’rast është mbajtur diskutim i hapur lidhur me rolin e Open Data dhe Big Data në ndërmarresi, për rëndësinë e Big Data për bizneset dhe zhvillimin ekonomik.

 

Duke folur për Big Data, Mentor Geci nga UBT STATS, ka thënë se në Kosovë akoma nuk aplikohet në kuptimin e plotë të fjalës Big Data, por që sipas tij, UBT STATS si qendër e të dhënave synon të shndërrohet në Big Data.

 

Geci theksoi se Big Data përmban edhe të dhëna të pa strukturuara që në raste të caktuara janë të dhëna jopublike e që bie në domenin e Rregullores për Mbrojtjen e të Dhënave të Përgjithshme (GDPR) të Bashkimit Evropian.

 

“Arsyeja kryesore e themelimit të UBT STATS është krijimi i qendrës së të dhënave fillimisht për statistikat makroekonomike të publikuara e më pastaj edhe për sektor të caktuar të ekonomisë, duke përdorur të dhënat e publikuara. Që nga viti i kaluar UBT STATS ka filluar përpunimin e të dhënave sektoriale, të dhëna për kompanitë individuale të publikuara nga Administrata Tatimore e Kosovës”, tha Geci.

 

Gjatë këtij diskutimi është prezantuar edhe platforma interaktive e qendrës së të dhënave UBT STATS, ku edhe janë paraqitur tek të pranishmit statistikat e përpunuara nga kjo qendër.

 

Me këtë rast, Nehat Dobratiqi nga UBT STATS ka thënë se falë kësaj platforme studentët dhe stafi akademik do të kenë mundësi të qasen në këto të dhëna, të cilat do të mund ti përdorin në hulumtime dhe punime shkencore.

 

“UBT STATS merret me mbledhjen, organizimin dhe publikimin e të dhënave statistikore. Ideja për këtë platformë erdhi si nevojë e pasjes së një baze të të dhënave statistikore të strukturuara dhe organizuara me praktikat statistikore ndërkombëtare, lehtësisht të konvertueshme për analiza kuantitative, ekonomike dhe për parashikime, si dhe për modelime të ndryshme, e që do të ndihmoj vendimmarrjen në nivel makroekonomik”, tregoi ai.

 

Ndërkohë edhe Dafina Olluri nga Open Data Kosovo (ODK), ka folur për të dhënat e hapura dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik dhe social, e cila theksoi se sfidat e hapjes së të dhënave në Kosovë, përfshijnë rritjen e vullnetit për transparencë, rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, trajnimet për shërbyesit civil, definimi i vijës ndarëse ndërmjet privatësisë, sigurisë kombëtare dhe hapjes së të dhënave si dhe zhvillimi i platformave me Open Source.

 

Tutje, ajo ka thënë se Open Data si mjet për rritjen e transparencës dhe zhvillimit demokratik krijon lehtësim për qasje në shërbime publike, mundësonë rritje e efiçiencës dhe  zvogëlon burokracinë dhe korrupsionin.

 

“Përfitimet ekonomike të hapjes së të dhënave, përfshinë zhvillimin e shërbimeve inovative, krijimin e modeleve të reja të bizneseve. Vlen të theksohet se në BE të hyrat nga përdorimi i të dhënave pritet të arrijnë në 739 miliard euro deri në 2020, dhe do ta përfaqësojnë 4%  GDP të përgjithshme të BE, teksa nga 6 milion profesionist të të dhënave pritet të arrijë në 10 në BE deri në 2020”, tha Olluri.

 

Të pranishmit përveç se diskutuan por patën edhe mundësinë të ndajnë edhe përvojat e tyre në fushat profesionale përkatëse, derisa e vlerësuan kontributin e dhënë për krijimin e platformës interaktive të UBT STATS.

http://stats.ubt-uni.net/?fbclid=IwAR2ZFHLzn5g3e_DUHeA0WVlVe5Ttex1X3HDSbXwMyy1_zwmlJR2sQJRA21M