Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarët kosovarë pjesërisht të lirë
03/05/2020Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme të shprehjes, përkatësisht në bazë të raporteve të fundit ndërkombëtare, gazetarët kosovarë vazhdojnë të kërcënohen për shprehjen e tyre të lirë, gjë që e pamundëson ushtrimin pa presion të profesionit.
Kështu u tha në konferencën online “Liria e shtypit dhe e shprehjes gjatë ushtrimit të profesionit të gazetarisë̈ në Kosovë”, organizuar nga UBT, teksa u transmetura në Televizionin “UBT” dhe në Radio “Campus”.
Në këtë konferencë, gazetarët dhe profesorët e UBT-së që morën pjesë thanë së mediat vazhdojnë të përballen me ndikime direkte dhe indirekte nga grupet e interesit, përballen me probleme financiare, ndërkohë ka ende kërcënime e sulme ndaj gazetarëve.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, theksoi liria e shtypit është e drejtë themelore dhe një nga gurthemelet e demokracisë, prandaj tha se duhet ti forcojmë përpjekjet tona për të mbrojtur këtë të drejtë.
“Një media e pavarur dhe pluraliste është shtyllë kryesore e shoqërive demokratike. Sidoqoftë, shoqëria e informacionit po ndryshon, po përballemi me sfidën dhe mbrojtjen e këtyre parimeve ngaqë gazetaria dhe shtypi po transformohen në mënyrë shumë të shpejtë. Si institucion ne po mundohemi t’i kontribuojmë vendit duke krijuar gjenerata që i përshtaten këtij trendi kohor, që sjellin vlera, duke u shndërruar edhe në profesionistë. Kosova renditet në venet pjesërisht të lira, por ende ka punë për të bërë sepse në disa media mungojnë kushtet e domosdoshme për punë”, tha rektori Hajrizi.
Ish-kryetari i KPM-së, njëherësh ligjërues në UBT, Adnan Merovci, tha se lirinë e shprehjes e mbrojnë instancat më të larta, siç është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, teksa vlerësoi se Kosova nuk gjendet keq në këtë aspekt.
“Në Kosovë mediat audio dhe audiovizuele rregullohen, ndërsa të tjerat vetërregullohen. Problemi global është çështja e protalave që ende nuk hyjnë në rregullim apo vetërregullim të mirëfilltë. Megjithatë, nuk ka vend për tu ankuar, sepse sa i përket respektimit të legjislacionit Kosova nuk qëndron keq”, sqaroi Merovci.
Duke folur për transmetuesin publik të Kosovës, gazetari në RTK, njëherësh ligjërues në UBT, Xhevdet Sfarça, tha se grupet e interesit e kanë më të lehtë të ndikojnë në aspektin redaktorial tek mediat që janë financiarisht të varura sikurse rasti i RTK-së.
“Në Kosovë një pjesë e mediave nuk janë të lira, një pjesë e madhe e tyre janë nën kontrollin të subjekteve politike ose të interesit ekonomik, dhe ndërlidhet me një synim që nuk ka të bëjë fare me lirinë e mediave. Për shkaqe të gjendjes së rëndë financare nëpër të cilat gjenden mediat sot, ende shkelen të drejtat e punëtorëve si aspekt thelbësor, duke filluar me paga gjysmake, punojnë me paga të vonuara, me orar të pa caktuar. Por, sipas informacioneve në Kosovë mendohet se rreth 40% e gazetarëve në Kosovë nuk kanë as kontrata të rregullta, e nuk respektohet as sigurimi shëndetësor”, theksoi Sfarça.
Ndërkohë, profesori në UBT, Musa Sabedini vlerëson se gazetarët kosovarë ende nuk janë plotësisht të lirë ngaqë, sipas tij, përballen me kërcënime dhe shantazhe.
“Në Kosovë ende liria e shprehjes ose liria e mediave nuk në shkallën e kënaqshme sepse ende kemi presione kërcenime e shantazhe. Profesioni ynë është delikat, sidomos tash në kohën e pandemisë. Liria e shprehjes së gazetarit përfundon aty ku cënohen interesat e një grupi të caktuar, dhe kjo na sfidon punën në praktikë, pavarsisht se ka ligje të mira, por janë ende të pamjaftueshme”, tha profesori Sabedini.
Tutje, gazetari në Televizionin Klan Kosova, njëherësh ligjërues në UBT, numëroi disa arsye se pse Kosova gjendet në mesin e vendeve pjesërisht të lira sa i përket lirisë së shprehjes. Ai tha se gazetarët kanë probleme me çasjen në dokumente zyrtare, ndërkohë përballen edhe me shantazhime.
“Ka raste kur gazetarët janë të kërcënuar, të shantazhuar, përballen me linçime publike, nuk është se u ofrohet mbrojtje adekuate nga organet kompetente në këtë drejtim. Po ashtu, shumica e gazetarëve kanë probleme me çasjen në dokumente zyrtare, gjitha këto e vështirësojnë punën për të qenë në pozitia më të mira sa i përket lirisë së medias”, theksoi Gajraku.
Detajet e video-konferencës i gjeni në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=30wT-M85nng