Në ANV-në e Ndërtimtarisë pjesëmarrësit njoftohen me gjendjen e infrastrukturës në Kosovë
19/07/2018ANV-ja e Inxhinierisë së Ndërtimit pati ditën e saj më të pasur me ligjërata dhe me profesorë e ekspertë që qenë ligjërues.
“Makinat për punimet gjeoteknike”, “Propozimet e zgjidhjes së shpateve anësore nga rrëshqitjet e dheut në autostradën Ibrahim Rugova “, ”Auditimi i sigurisë në kryqëzimin e rrugëve të Prishtinës”, “Trajtimi i bazës së ndërtimit duke aplikuar sistemin mbrojtës të diafragmës” dhe “Rrëshqitjet në Kosovë, domosdoshmëria e monitorimit të tyre”, janë të gjitha temat të cilat u diskutuan gjatë në ANV.
Ahmet Bytyqi, profesor në UBT, tregoi për ndryshimet historike që ndodhën ndër shekuj në aspektin e profesionalizimit të makinerive në fushën e ndërtimtarisë. Pos kësaj, ai, me anë të ilustrimeve para studentëve, shpalosi llojet e makinerive, si dhe zgjedhjen e duhur të tyre për vendin e duhur ku do të përdoren.
Profesori në UBT, ndërkaq, Hysen Ahmeti shpalosi dy zgjidhjet që ai i kishte propozuar për zgjidhjen e problemit në autostradën “Ibrahim Rugova”, të cilat kanë nivel të lartë të sigurisë, dhe në të njëjtën kohë kanë edhe kosto jo shumë të lartë të realizimit.
Pjesën e dytë të ligjëratave e filloi eksperti i komunikacionit, njëherësh ligjërues në UBT, Nol Dedaj i cili studentëve u tregoi se si t’i evitojnë dhe përmirësojnë gabimet rrugore që ndodhin gjatë auditimit të rrugëve. Për këtë qëllim, të gjithë shembujt që u përdorën si ilustrim ishin gabimet në qytetin e Prishtinës dhe në Autostradën “Ibrahim Rugova”.
Ndërsa inxhinieri i ndërtimtarisë, Armend Mujaj shtjelloi para studentëve çështjen e kodeve që shërbejnë për projektimin e strukturave – Eurokodet, teksa theksoi se çdo inxhinier duhet t’i njohë fazat e para të projektimit.
Hazir Çadraku, profesor nga UBT, ligjëroi për studentëve arsyet e rrëshqitjeve të dheut dhe dëmet që bëhen nga ato. Ndër tjerash, ai i njoftoi studentët për rajonin që ka më së shumti rrëshqitje të dheut në Kosovë.
ANV-ja do të vazhdojë ditën e nesërme në qytetin e Prizrenit pjesëmarrësit do të vizitojnë kompaninë “ Vëllezërit e Bashkuar”.