Në ANV-në e Infermierisë dhe Farmacisë ligjërojnë profesoreshat nga Austria, Kroacia dhe Kosova

24/07/2018

Po vazhdon punimet ANV-ja e Farmacisë dhe Infermierisë, e cila dy ligjëratat e para i mbajti së bashku me ANV-në e Infermierisë, pasi temat të cilat u diskutuan ishin në interes të përbashkët për këto dy fusha.

Punimet nisën me ligjëratën e Elisabeth Campestrini, konsulente për Shëndetin Progresiv, e cila trajtoi temën: “Shëndeti në nivelin e BE-së, cila është rëndësia e saj për Kosovën”.
Ajo para studenteve paraqiti ligjet, rregullat, obligimet dhe të drejtat që i kanë 28 vendet anëtare të BE-së.
Profesoresha nga Austria pjesëmarrësve u dha edhe këshilla për mënyrat më të mira për të përmirësuar buxhetin e Kosovës në fushën e shëndetësisë.

Pjesa e dytë e Akademisë së Infermierisë dhe Farmacisë vazhdoi me ligjëratën e profesoreshës nga Universiteti i Mjekësisë në Zagreb , njëherësh edhe profesoreshë në Shkollën për Shëndetin Publik “Andrija Stampar” , Gordana Pavlekova, e cila u fokusua në temën “ Shëndeti dhe lumturia ”.
Para studentëve ajo paraqiti fakte dhe rezultate të eksperimenteve të cilat e tërhoqën mjaft shumë vëmendjen e tyre . Sipas saj, paratë dhe gjërat materiale nuk kanë mundësi asnjëherë të na bëjnë të lumtur, teksa lidhur me rëndësinë e lumturisë në shëndetin tonë, ajo u shpreh se lumturia nuk e shëron sëmundjen, ajo na mbron nga sëmundja.

Ligjëratë mbajti edhe profesoresha nga Fakulteti i Mjekësisë në UP, Merita Berisha.
Ajo trajtoi temën:“ Shëndeti publik dhe qëllimet e hulumtimeve”, me ç’rast paraqiti ndër të tjera edhe nivelet e evidencës, mënyrat e hulumtimit dhe shpjegoi në mënyrë të detajuar mënyrën se si realizohen ato .

ANV e Infermierisë dhe Farmacisë do të vazhdojë punimet prapë nesër në të njëjtin orar, me fillim nga ora 10:00.