Ndikimi i AI në tregun e punës: Diskutim i studentëve të Sistemeve të Informacionit me ekspertin Ilir Ferizaj në Akademinë Verore

23/07/2024

Në kuadër të Akademisë Verore të Global UBT Fest, Fakulteti i Sistemeve të Informacionit organizoi një aktivitet të veçantë, ku foli Ilir Ferizaj, një ekspert nga industria dhe përfaqësues i kompanisë SPEEX. Tema e prezantimit ishte “Ndikimi i AI në Tregun e Punës – Rast studimi sektori i IT-së”.

Ferizaj prezantoi një analizë të thelluar mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në tregun e punës, duke theksuar se, sipas studimeve dhe raporteve të ndryshme, AI pritet të ndikojë deri në 40% të vendeve ekzistuese të punës. Sektori i IT-së, veçanërisht pozitat si mbështetësit teknik, programerët dhe pozita të tjera të ngjashme, pritet të jenë më të prekurat.

Gjatë diskutimit me studentët, u theksua se pavarësisht zëvendësimit të disa vendeve të punës, AI do të krijojë edhe shumë të tjera. Pozita të reja si analistët e të dhënave, menaxherët e projekteve të AI, dhe mirëmbajtja e sistemeve të AI, do të bëhen të domosdoshme. Drejtimet si Machine Learning dhe robotika do të jenë gjithashtu shumë të kërkuara.

Ferizaj theksoi se ata që kanë njohuri të avancuara në përdorimin e AI do të jenë më të përfituarit nga ky transformim. Adaptimi dhe mësimi i vazhdueshëm u paraqitën si strategjia më e mirë për t’u përballur me këtë fenomen dhe për t’u përshtatur me rrethanat e reja.

Akademia Verore e Sistemeve të Informacionit vazhdon të ofrojë platforma të rëndësishme për diskutime dhe shkëmbim idesh mbi teknologjitë e reja dhe ndikimin e tyre në shoqëri.