Ndahet nga jeta profesori i UBT-së, Zekë Islamaj – Rektori Hajrizi ngushëllon familjen Islamaj

29/08/2024

Është ndarë nga jeta profesori i UBT-së, Zekë Islamaj, një prej profesionistëve dhe arkitektëve të shquar që ka njohur vendi dhe rajoni. Lajmi për humbjen e tij ka prekur thellë të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë punuar me të, duke lënë pas një zbrazëti të madhe në botën akademike dhe profesionale të Kosovës.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Islamaj, duke vlerësuar lartë kontributet e jashtëzakonshme të profesorit Zekë në fushën e edukimit dhe arkitekturës.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Zekë Islamaj. Profesori Zekë, një mentor i pazëvendësueshëm për UBT-në dhe studentët e tij, ka lënë pas vepra të paharrueshme. Kontributet dhe pasioni i tij për edukimin e brezave do të mbeten gjithmonë një burim frymëzimi për të gjithë ne. UBT dhe të gjithë ata që e kanë njohur do ta kujtojnë me nderim dhe mirënjohje,” tha Rektori Hajrizi.

Profesori Zekë Islamaj ishte një njeri i përkushtuar ndaj edukimit, por edhe një atdhetar i devotshëm, i cili gjithmonë ka vënë interesat e vendit dhe të popullit të tij përpara. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai iu bashkua luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Isniq, duke treguar përkushtim për lirinë e atdheut. Pas përfundimit të luftës, ai kontribuoi në rindërtimin e vendit, duke menaxhuar me ndihmat ndërtimore të organizatave ndërkombëtare, gjithnjë duke u dalluar si një arkitekt i shkëlqyer dhe profesionist i pakrahasueshëm.

Me kontributet e tij në fushën e arkitekturës dhe edukimit, Prof. Zekë Islamaj ka lënë pas një trashëgimi të çmuar që do të kujtohet për breza me radhë. Kolegët dhe studentët e tij në UBT, si dhe e gjithë komuniteti i arkitektëve dhe profesionistëve të vendit, do ta kujtojnë përherë me respekt dhe mirënjohje për punën dhe dedikimin e tij të pashoq.