![](https://www.ubt-uni.net/wp-content/uploads/2021/03/158432687_1119433301837384_6911052995337549355_n.jpg)
Ndahet nga jeta profesori i UBT-së, Zejnullah Gruda, rektori Hajrizi ngushëllon familjen
08/03/2021Është ndarë nga jeta profesori i UBT-së, Zejnullah Gruda, njëri prej ligjëruesve që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë në Kosovë.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gruda, ku ndër tjerash theksoi se vdekja e profesorit Zejnullah Gruda është një humbje e madhe për Kosovën.
“UBT, studentët dhe kolegët do ta kujtojnë përherë veprën, afërsinë, profesionalizmin dhe respektin, të cilin ai e kishte për çdo njeri. Profesori Gruda mësoi dhe edukoi studentët profesionalisht, të cilët do ta ndjekin rrugën e tij dhe të bëhen shembull për gjeneratat e ardhshme. Në emër të UBT-së dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtoreve dhe studentëve”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të rektorit Hajrizi, drejtuar familjes Gruda.
Profesori Zejnullah Gruda ishte profesor i shquar, diplomat e profesionist, autor i shumë teksteve, punimeve shkencore dhe hulumtimeve të botuara në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.