Ndahet nga jeta profesori i UBT-së, Dr. Belul Beqaj, rektori Hajrizi ngushëllon familjen Beqaj
25/09/2022Është ndarë nga jeta profesori i UBT-së, Dr. Belul Beqaj, një prej profesionistëve dhe politologëve më të mirë që ka njohur vendi dhe rajoni.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Beqaj, në të cilin ka vlerësuar lartë figurën e shquar të profesorit Beqaj.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Dr. Belul Beqaj. Një profesionist i jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha një njeri i mirë sot u nda nga jeta, dhe patjetër që për ne, stafin, studentët dhe gjithë Kosovën do të jetë një humbje e madhe. Profesori Beqaj ishte profesional në punë, i drejtë dhe i sinqertë në mendime e veprime, dhe kjo e ka bërë atë të veçantë nga gjithë të tjerët”, ka thënë rektori Hajrizi.
Dr. Belul Beqaj lindi në Prizren më 1957, ku i kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ka diplomuar, magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, përkatësisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka doktoruar në fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit publik të Maqedonisë. Ishte autor i dhjetëra punimeve publicistike -shkencore, si dhe pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.