Në UBT u promovuan libri “Shkrimi dhe komunikimi” dhe revista “Politikologu”

24/01/2015

Prishtinë, 23 janar. – Libri i profesorit Safet Zejnullahu “Shkrimi dhe komunikimi” dhe revista “Politikologu”, dy botime të UBT-së, janë promovuar sot në një ceremoni organizuar në këtë institucion.

 

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi ka theksuar synimin e UBT-së në mbështetje dhe promovim të librit për nevojat e studentëve, por edhe për lexuesit e tjerë. Ai e vlerësoi librin e profesorit Zejnullahu si mjaft të dobishëm dhe të një fushe specifike, që ka njohur zhvillime të bujshme krahas ndryshimeve që ka sjellë zhvillimi i teknologjisë.

 

Ndërsa revista “Politikologu”, tha ai, është një publikim i veçantë, me autorë dhe tema e analiza të përzgjedhura për fusha e fenomene të ndryshme, prezente në shoqërinë tonë.

Dr.Hajrizi ka përmendur edhe publikimet e shumta që UBT ka nxjerrë deri tash dhe planin për libra, revista dhe publikime të tjera, që do të shohin dritën së shpejti. Ai gjithashtu theksoi se UBT, krahas librave të autorëve që janë pjesë e UBT-së, do të përkthejë e do të publikojë edhe libra shkencorë profesionalë të autorëve të njohur botërorë.

 

Autori i librit “Shkrimi dhe komunikimi”, Safet Zejnullahu, në fjalën e tij, ka theksuar një varg çështjesh që ndërlidhen me kulturën e leximit dhe rrezikun real që librit i vjen nga zhvillimi i teknologjisë. Ai tërhoqi vërejtjen se, sado pozitive të jenë përparësitë që ofron interneti në kuptimin e ofrimit të informacionit, të krijimit të idesë së ofrimit të informacionit të plotë, asgjë dhe asnjëherë nuk do ta zëvendësojë librin, qoftë atë të printuar apo atë në formë elektronike. Ai theksoi nevojën për vlerësim real të peshës së librit si burim informacioni, që duhet të rrënjoset me zhvillimin e kulturës së leximit, në institucionet shkollore e në familje.

 

Ndërsa, kryeredaktori i revistës “Politikologu”, Alban Lauka theksoi se revista përmbledh një numër të madh artikujsh të autorëve profesionistë dhe synon të japë kontribut të çmueshëm në zhvillimin e mendimit politik në vend dhe në hapësirat ku flitet shqip.