Në UBT u mbajt pjesa e parë e punëtorisë “E ardhmja e kufijve”

08/05/2017

Në UBT u mbajt pjesa e parë e punëtorisë dyditore “E ardhmja e kufijve”, qëllimi  së cilës ishte që të përcaktohej se si do të dukej e ardhmja e një bote pa kufij për refugjatë, pa punëtorë emigrantë, pa korporata transnacionale, pa katastrofa mjedisore, pa identitete nacionale dhe etnike, për promovimin e artit bashkëkohor.

 

Gjatë kësaj punëtorie u bë prezantimi i projektit dhe i stuhive të mendimeve të pjesëmarrësve, duke i  trajtuar dy pika kryesore, pjesëmarrjen dhe angazhimin e stafit të UBT në aktivitete të përbashkëta para dhe gjatë bienales, si dhe aranzhimi i studentëve potencialë për punëtori sipas departamenteve potenciale.

 

Duke folur për krijimin e partneriteteve, njëri nga themeluesit e projektit “Autostrada Bienale”, Leutrim Fishekqiu theksoi se në aspektin e edukimit, ata kanë një bashkëpunim shumë të mirë me UBT-në.


“Përmes këtij projekti mendojmë që studentët mund të përfitojnë shumë, duke e zhvilluar profesionin e tyre, andaj kemi nevojë për përfshirjen dhe organizimin e stafit dhe të studentëve të UBT-së”, tha Fishekqiu.

 

Kuratori dhe kritiku i pavarur i bienales, Manray Hsu nga Taiwani, potencoi se përmes bashkëpunimit me UBT-në, bienalja do të ketë qasje dhe angazhim më të madh për krijimin e identitetit të saj, duke e shndërruar qytetin në muze.

“Për realizimin në mënyrë sa më të mirë të kësaj ideje, neve na duhet një staf teknik e cilësor”, vlerësoi Hsu.

 

Ndërkaq, studentët pjesëmarrës, përpos që do t’ju jepet mundësia për të përfituar më shumë informacione dhe njohuri, ata po ashtu do të kenë mundësi edhe të ushtrojnë  profesionin e tyre në praktikë, teksa do t’ju krijohet mundësia që të punojnë me pagesë, me ekipe  profesionale të fushave të caktuara, ku do të ballafaqohen me probleme që do të shfaqen edhe në të ardhmen e tyre si profesionistë të ardhshëm të fushës përkatëse.

 

Autostrada Bienale planifikon ta bëjë qytetin dhe qytetarin pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë ata pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore. Kjo do të jetë një nismë për shfrytëzimin e hapësirave dhe objekteve të vjetra, që kanë vlera të trashëgimisë kulturore, por edhe të kujtesës kolektive, duke i shfrytëzuar për organizimin e aktiviteteve në kuadër të artit bashkëkohor.


Për më tepër, në këtë projekt do të angazhohen artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, për të promovuar artin e tyre dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës.