Në UBT mbahet gara e parë e programimit në Kosovë

01/02/2017

Në UBT është mbajtur gara e parë e programit kompjuterik, me ç’rast garuesit kanë përdorur shkathtësitë dhe njohuritë e tyre në fushën e programimit, duke shfrytëzuar algoritme dhe teknika të ndryshme për zgjidhjen e problemeve në këtë fushë.


Fituesit e garës janë Hakan Shehu, Agon Shkodra, Enis Halimi dhe Kolos Pukaj.

Ky aktivitet  është mbajtur me qëllim të zgjedhjes së studentëve, të cilët do të marrin pjesë në olimpiadën ndërkombëtare të programimit “ACMP ICPC”, në Porto të Portugalisë, në nëntor të këtij viti.


Organizatori i këtij organizimi, Muhamed Retkoceri tha se gara është mbajtur me qëllim të identifikimit të studentëve të shkathtë dhe të interesuar në zgjidhjen e problemeve të programimit, të cilët më pas synohet të përgatiten për garën ndërkombëtare të programimit, ACM ICPC.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar talentin si student dhe është një përvojë e papërsëritshme gjatë studimeve”, theksoi Retkoceri, për të shtuar se ”gara është zhvilluar përmes platformës “HackerRank”.


Radhitja e kandidatëve është bërë për nga numri i detyrave të sakta të zgjidhura, kohëzgjatja e postimit të zgjidhjes dhe numrit të tentimeve të gabuara për zgjidhje, ndërkaq vlerësimi i saktësisë së zgjidhjeve është bërë automatikisht nga sistemi, kurse tabela e pikëve të kandidatëve është shfaqur drejtpërdrejt në projektor, përgjatë tërë garës.

Në fund, përforcuesit më të mirë të kësaj gare do të shpërblehen gjatë një ceremonie, e cila do të organizohet për këtë qëllim.

Vlen të theksohet se, UBT është instituti i parë akademik nga Kosova e Shqipëria, që është anëtarësuar në ACM ICPC, në mesin e qindra universiteteve nga e gjithë bota. Ky programim kompjuterik paraqet njërën nga mundësitë më të mira të ndikimit të teknologjisë në shoqëri.