Në UBT i zhvilloi punimet konferenca Dita Austriake-Kosovare e Energjisë 2015
18/11/2015Në vazhdën e konferencave të organizuara nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare, sot në në Kampusin Inovativ të UBT-së i zhvilloi punimet konferenca e radhës, e cila për temë kishte energjinë.
Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi ka paraqitur në konferencë gjendjen energjetike në Kosovë, me theks të veçantë kontributin që po jep UBT, me programe të veçanta studimi dhe me ekspertë të fushës së energjisë, vendorë e ndërkombëtarë për të dhënë kontributin në qasjen e re ndaj energjisë, që vazhdon të mbetet një nga pikat më problematike të gjendjes së përgjithshme e sidomos të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Besa Gashi-Zogaj, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik, Arben Gjuka, drejtor i KEK-ut, Afrim Ajvazi nga Autoriteti Rregullator i Energjisë, përfaqësues nga Banka Botërore, nga shoqatat për energjinë e ripërtërishme, përfaqësues të kompanive të mëdha dhe ekspertë të fushës së energjisë, përmes prezantimeve dhe debateve dhanë një pasqyrë të plotë të gjendjes energjetike në vendin tonë, përpjekjet për futjen të funksion të energjisë alternative, gjendjen e stabilimenteve të tashme të prodhimit të energjisë dhe planet për të ardhmen energjetike të vendit.