Në UBT i zhvilloi punimet Konferenca “Dita Austriake-Kosovare e Arkitekturës 2015”

05/11/2015

Në vargun e konferencave që trajtojnë tema me interes për studentët, mësimdhënësit, ekspertët, institucionet lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës dhe institucionet dhe universitetet nga Austria dhe shtete të ndryshme të Evropës, UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare organizuan konferencën mbi Arkitekturën në Kosovë.


Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal, të asociacioneve profesioniste të arkitekturës nga vendi dhe rajoni, si dhe ekspertë të arkitekturës dhe studentë e të interesuar të tjerë.

 

Drejtori i Urbanizmit në komunën e Prishtinës, Liburn Aliu trajtoi një varg çështjesh që ndërlidhen me arkitekturën dhe urbanizmin në kryeqytet.


Aliu tha se Prishtina ka qenë qytet i cili i ka paraprirë ndryshimeve dhe vendi i një dinamike të madhe, rinia e së cilës ka qenë përherë ajo që nuk është pajtuar me realitetin që e ka rrethuar, që ka qenë i hidhur, prandaj e ka ndryshuar atë.


Prishtina do të jetë vend ku iniciohen dhe bëhen ndryshimet, por ndryshimet për të cilat po flasim sot kanë të bëjnë me një aspekt tjetër, aspektin urban, tha Aliu, duke shtuar se sfidë sot në qytetin e Prishtinës është mënyra se si është zhvilluar dhe si është zgjeruar Prishtina. Zhvillimi dhe zgjerimi i saj sidomos në vitet e pasluftës është mënyrë e cila ka qenë në favor të profitit, jo profitit qytetar, por profitit të kompanive të ndryshme, të bizneseve të ndryshme, të biznesmenëve të ndryshëm, tregtarëve të tokave… Profiti i tyre ka qenë në plan të parë e jo interesi qytetar.


Duke kritikuar mënyrën e zgjerimit të kryeqytetit, z.Aliu mori një shembull të një analize që do të publikohet së shpejti, e cila tregon se po të realizohej si duhet Plani zhvillimor urban i qytetit, në Prishtinë do të kishte hapësirë dhe kushte komode banimi për 2.5 milionë banorë. Por, ai tha se kanë ndodhur një varg veprimesh jo të mira, përfshirë transaksionet e mëdha të tokave, privatizimin e tyre, me fokus interesat e pronarëve e jo interesat e qytetarëve.


Në këtë kontekst, ai përmendi se një nga problemet kryesore me të cilin ballafaqohet Prishtina është shpronësimi i tokave private për të ndërtuar rrugë, që të shumtën e herëve kushton dhjetëra herë më shumë sesa vetë vlera në para e rrugës apo projekteve të tjera që ndërtohen për të mirën e qytetarëve.


Për pasojë, po kështu, do të ketë shumë më pak hapësira për qytetarët e shumë më pak gjelbërim, tha ai.


Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi përkujtoi se shkolla e parë e arkitekturës në UBT është organizuar në bashkëpunim me partnerët nga Austria dhe ka qenë një kontribut mjaft i madh. Bashkë me austriakët në Fakultetin e Planifikimit Urban për herë të parë pas luftës kemi organizuar studimet master në planifikimin urban në Kosovë, fushë në të cilën është dashur të punohet shumë, por kjo ka qenë e mundur me një bashkëpunim me profesorët austriakë.


Ai theksoi se në fushën e arkitekturës dhe të planifikimit urban në Prishtinë dhe në gjithë vendin ka shumë për të bërë.


Z.Hajrizi gjithashtu përmendi edhe çështje të tjera, siç janë objektet e trashëgimisë kulturore, inventarizimi dhe digjitalizimi i tyre, fushë në të cilën shumë gjëra janë të hapura dhe nuk janë finalizuar. Ai tha se edhe çështja e kompetencave është një problem në vendin tonë, ku njerëz jokompetentë marrin rolin e profesionistëve në fushat ku nuk janë të tillë.


Në vijim, zonja Caroline Jaeger Klein bëri një prezantim për Trashëgiminë Kulturore të Kosovës dhe përpjekjet e saj dhe të studentëve për të ndihmuar në ruajtjen dhe propagimin e kësaj trashëgimie.


Dekani i Arkitekturës në UBT, dr. Lulzim Beqiri elaboroi rolin e universiteteve në krijimin dhe edukimin e arkitektëve të rinj, duke theksuar se profesorët dhe arkitektët e certifikuar kanë edhe më shumë përgjegjësi për të përcjellë gjithë dijen komplekse të kësaj fushe te studentët.


Ai tha se në gjendjen aktuale në vend, në një shoqëri në tranzicion edhe puna e arkitektëve, sikur edhe shumë profesionistëve të tjerë, has në barriera dhe vështirësi të mëdha.


Në konferencë ka folur edhe Eljesa Surdulli, kryetar i Asociacionit të Arkitekturës së Kosovës, i cili elaboroi punën e këtij asociacioni, aktivitetet në planin vendor dhe ndërkombëtar.


Në konferencë u paraqitën edhe folës të tjerë, që trajtuan aspekte të ndryshme të temës së shtruar, ndërsa u zhvillua edhe një debat i frytshëm.

 

Konferenca zgjoi interesim shumë të madh të studentëve të Arkitekturës në UBT dhe studentëve e të interesuarve të tjerë.