Mjekësia dhe AI: Ligjëratë nga shkencëtari i shquar Pier Paolo Piccaluga në UBT

18/10/2024

Fakulteti i Shkencave Mjekësore në UBT mirëpriti Prof. Dr. Pier Paolo Piccaluga, i cili mbajti një ligjëratë tematike për studentët e këtij fakulteti. Pritjen e organizoi Prof. Dr. Fitim Alidema, dekan i shkencave mjekësore në UBT, ndërsa në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe Dr. Adriatik Berisha dhe Prof. Dr. Fisnik Laha.

   

Ligjërata u fokusua në tematika të rëndësishme si mjekësia, patologjia dhe onkologjia, me një theks të veçantë në integrimin e inteligjencës artificiale në këto fusha. Prof. Dr. Piccaluga, MD, Ph.D., është profesor i asociuar i patologjisë në Departamentin e Mjekësisë Eksperimentale, Diagnostikuese dhe Mjekësisë Speciale në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Bolonjës, si dhe njëkohësisht shërben si mjek ekzekutiv në Biobankën e Kërkimeve në Spitalin IRCCS S. Orsola-Malpighi.

Me një karrierë të pasur akademike dhe profesionale, në vitin 2018, Prof. Dr. Piccaluga u emërua profesor në Universitetin Queen Mary në Londër dhe në Universitetin e Bujqësisë dhe Teknologjisë Jomo Kenyatta në Nairobi, Kenia.

Ai ka publikuar në revista prestigjioze ndërkombëtare si Nature Medicine, Journal of Clinical Investigation, Journal of Experimental Medicine, Journal of Clinical Oncology, Blood, Lancet Oncology dhe Lancet Infectious Diseases.

Për më tepër, Dr. Piccaluga është renditur si një nga shkencëtarët më të shquar italianë nga VIA-Academy, duke dëshmuar kështu për kontributin e tij të rëndësishëm në fushën e mjekësisë dhe kërkimeve shkencore. Ligjërata e tij solli një debat të frytshëm mbi rolin e teknologjisë moderne në avancimin e shëndetësisë dhe përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve./UBTNews/