Ministri i Arsimit vizitoi standin e UBT-së në Panairin e Edukimit dhe u përshëndet nga roboti NAO

08/05/2015

Roboti NAO, i programuar nga studentët e UBT-së, ka qenë një atraksion i vërtetë në Panairin Edukimit të organizuar në Tiranë më 4 dhe 5 maj, dhe sidomos në Panairin e Edukimit në Prishtinë, më 6 e 7 maj.

Ky robot e ka përshëndetur ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Arsim Bajrami, i cili vizitoi standin e UBT-së në Panairin e Edukimit në Prishtinë. 

Gjatë vizitës, ministri Bajrami theksoi se Panairi i edukimit mundësi e mirë për studentët. “Është një mundësi e mirë për të rinjtë tanë që sot të shohin shumë universitete ndërkombëtare, shumë universitete publike vendore dhe shkolla për të gjetur rrugën drejt cilësisë. Ministria e Arsimit është duke zhvilluar projektin e ndërtimit të cilësisë në sferën e arsimit dhe ne këtë vit do të japim një numër të konsiderueshëm të bursave për studime jashtë vendit. Dëshirojmë që këto bursa të shkojnë tek talentet e rinj dhe tek universitetet cilësore evropiane”, theksoi ai.

 

Ndryshe, roboti NAO dhe përgjithësisht oferta e UBT-së kanë zgjuar interesim shumë të madh të të rinjve gjatë Panairit të Edukimit në Tiranë.

Qindra të rinj, gjatë njohjes me ofertat e UBT-së janë shprehur shumë të kënaqur me mundësitë që ofron UBT dhe kanë shprehur interesim që të bëhen pjesë e këtij institucioni.

 

Roboti NAO, si gjithnjë, ka zgjuar kërshërinë e tyre të madhe. Të rinjtë janë njoftuar me të, si dhe janë njohur me historinë e zhvillimit të robotëve në UBT, që është qendra më e njohur jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë në fushën e robotikës, duke marrë pjesë për disa vite me radhë në kampionatet ndërkombëtare të garave të futbollit me robotë. Madje, duke e fituar titullin e kampionit evropian në këtë garë në vitin 2011 dhe duke qenë organizator i këtij kampionati dy herë, më 2009 dhe më 2011.

Të rinjtë nga Tirana gjithashtu kanë shprehur interes të madh për ofertën akademike të UBT-së, e cila paraqet interes për programet e veçanta, mësimdhënësit e përzgjedhur dhe mundësitë e mëdha për mobilitet, që krijohen në bazë të marrëveshjeve të shumta të bashkëpunimit që UBT ka me institucione prestigjioze akademik në Evropë dhe më gjerë.

 

Në Prishtinë, ku tashmë oferta dhe programet e UBT-së janë të njohura, të rinjtë dhe vizitorët e tjerë në standin e UBT-së janë njoftuar me programet e reja e sidomos me mundësitë e shumta që ofron UBT për studime, ngritje në karrierë brenda institucionit dhe vazhdim të studimeve në universitetet prestigjioze me të cilat UBT ka marrëveshje bashkëpunimi.

“UBT në këto panaire ka prezantuar ofertën akademike para një numri të madh të pjesëmarrësve si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. UBT ka treguar avantazhin teknologjik duke prezantuar programet, stafin dhe infrastrukturën shkollore, theksoi Halil Bashota, udhëheqës i Qendrës së Karrierës në UBT.