Me vendim të Këshillit Akademik, UBT ndau titujt akademikë për profesorë
27/10/2023Në mbledhjen e fundit të Këshillit Akademik të UBT-së, UBT ndau titujt akademikë, ku mbi 40 profesorë të profileve të ndryshme profesionale kanë pranuar tituj akademikë nga institucioni ku ata ligjërojnë, duke dëshmuar kështu kontributin dhe angazhimin e tyre për zhvillimin e shkencës dhe akademisë në Kosovë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në mbledhjen e Këshillit Akademik, në të cilën UBT ndau titujt akademikë, tha se ky është një momentum shumë i rëndësishëm për institucionin që është duke treguar një seriozitet të lartë në punën akademike dhe shkencore, duke i falënderuar të gjithë profesorët për angazhimin e tyre në gjenerimin e dijes dhe shpërndarjen e njohurive te studentët.
“Mendoj se UBT ka krijuar një masë mjaft të mirë akademike të cilën e prezantojnë mjaft mirë elementin e pjekurisë institucionale akademike, kjo shihet edhe në publikime me një pozicionim shumë të mirë të UBT-së. Në universitetet mbarëshqiptare ne jemi në pozitën e dytë, mirëpo nëse e shohim si një universitet i ri, trendin dhe zhvillimin, konsiderohemi si universiteti me shpejtësinë më të madhe të rritjes dhe mendoj se me parashikimet tona jemi një institucion shumë serioz”, ka thënë rektori Hajrizi.
Në emër të profesorëve dhe stafit të UBT-së, dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Binak Beqaj, tha se titujt akademikë janë një dëshmi e angazhimit proaktiv të stafit në procese zhvillimore.
“Sot, është një ceremoni e rëndësishme për institucionin tonë, sepse jemi dëshmitar të rritjes dhe të zhvillimit, që ka qenë synimi i vazhdueshëm i politik bërjes në UBT. Mendoj se titujt akademikë janë një dëshmi që ne të gjithë jemi të angazhuar në këtë proces në mënyrë proaktive, jemi pjesë e procesit zhvillimor, pra e marrim obligimin që me kontributin tonë do të jemi vazhdimisht pjesë e koncepteve zhvillimore”, ka thënë dekani Beqaj.
UBT është institucioni i cili vazhdimisht motivon stafin për ngritjen në grada akademike. Aktualisht, një numër i madh i tyre përkrahen nga ana e institucionit në studimet e tyre të doktoratës nëpër universitete evropiane dhe amerikane.
Stafi i UBT-së është shkolluar nëpër institucione të njohura arsimore ndërkombëtare, të cilat kanë partneritet me UBT-në, përfshirë: University of Vienna, London School of Economics, Leiden University, Trinity College Dublin, University of Graz, Salsburg University, John Hopkins University, Polytechnic University of Milan, Duke University, Linnaeus University, Gent University, George Town University, si dhe në shumë universitete të tjera prestigjioze.