Me sesione diskutimi për menaxhimin financiar, nis punimet Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion

17/07/2024

Me shumë aktivitete dhe ngjarje filloje punën akademia e dytë verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion e organizuar nga Fakulteti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në kuadër të Global UBT Fest.

Në pjesën e parë në një paraqitje online ishte bankieri i famshëm Jason Navarre nga J.P. Morgan Private Bank, i cili para studentëve paraqiti eksperiencën e tij në fushën e këshillimit të individëve dhe familjeve të pasura se si duhet të planifikojnë në mënyrë strategjike për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme. Për më tepër, Navarre potencoi rëndësinë dhe rolin e  menaxhimit financiar në zhvillimin e planeve afat-gjata të klientëve në segmentin e investimeve.

Në pjesën e dytë, Prof. Engelbert Zefaj ligjëroi para studentëve për metodat dhe teknikat e Lean Six Sigma për përmirësimin e vazhdueshëm të bizneseve. Profesori Zefaj shpjegoi se metodat dhe teknikat e Lean Six Sigma janë krijuar për të mundësuar përmirësim të vazhdueshëm në proceset e biznesit, si dhe ato ndihmojnë në identifikimin dhe eliminimin e gabimeve, përmirësojnë cilësinë dhe rrisin kënaqësinë e klientit.

Në pjesën tjetër të punëtorisë ishin edhe industria me ligjërata mjaft tematike. Albana Qaushi nga Devolli Corporation trajtoi rolin dhe ndikimin e marketingut në shpërndarjen e produkteve në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa, nga kompania Frutex, drejtori i eksporteve Betim Kryeziu shpjegoi më tepër për rolin e investimeve dhe marketingut në krijimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare. Profesoresha Ermira Shehu ofroi një vlerësim rreth ndërmarrësisë sociale, ku për më tepër shpjegoi se ndërmarrjet sociale kanë qëllime biznesi, mjedisore dhe sociale, mirëpo qëllimet e tyre sociale janë të ngulitura në objektivin e tyre, gjë që i dallon ata nga organizatat dhe kompanitë e tjera.