Me koncert mbyll punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit të Muzikës
15/07/2021Në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, me një koncert madhështor, të përcjellur me një gërshetim të rrymave të ndryshme muzikore, ka përmbyllur Akademinë Ndërkombëtare Verore, Fakulteti Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT.
Fillimisht, dita e tretë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të këtij fakulteti solli ligjërata interesante, ku ndër të parët që ligjëroi ishte profesoresha Valdete Preniqi, e cila ligjëroi për mundësitë e aplikimit të muzikës dhe terapisë muzikore në trajtime sociale dhe pedagogjike.
“Global UBT Fest 2021” ishte nikoqir i edhe një tjetër ligjëruesi ndërkombëtar, ku kësaj radhe profesoresha Sanja Drakulic zhvilloi një punëtori me studentët pjesëmarrës, rreth kompozimit modern, bashkë me profesorët Liburn Jupolli, Yllnor Kurti dhe Artan Hasani, përderisa këta të fundit bashkë me mysafiren nga Kroacia, zhvilluan një forum në të cilin diskutuan për ndikimin e muzikës klasike në muzikën moderne, teksa ditën e tretë e përmbylli profesori Branimir Mihaljevic me temën: “Produksioni i Muzikës së popullarizuar”.
Dita e katërt e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, nisi me ligjëratën e profesorit Florent Boshnjaku, i cili foli më shumë për muzikën moderne, mënyrën e organizimit e detaje të tjera që lidhen me këtë lloj të muzikës.
Profesori Florin Fanaj, ka shtjelluar për të pranishmit për kitarën në botën e MIDI teknologjisë dhe efekteve, teksa e gjithë kjo akademi verore është përkujdesur nga organizatorët që të përmbyllet me një koncert madhështor ne ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së.