Me aktivitete të shumta, mbylli punimet ANV-ja e Psikologjisë

18/07/2019

Akademia Ndërkombëtare Verore e Psikologjisë mbylli punimet me aktivitete grupore, të dizajnuara për zgjerim të Inteligjencës Emocionale, si dhe me vizitë në Parkun e Gërmisë, për të promovuar rëndësinë e vetëkujdesit dhe higjienës mentale.

 

Duke filluar me punëtorinë në formë të terapisë grupore, të udhëhequr nga psikoterapistja e Qendrës Këshilluese për Studentë, Vjollca Pllana dhe psikoterapistja mysafire, përfaqësuese e organizuatës, “PVPT”, Lulëjetë Prekazi, që pati për qëllim ngritjen e pesë shkathtësive të inteligjencës emocionale tek studentët.

 

Shprehja e brengave të veta me grupin, si dhe dëgjimi aktiv i brengave të tjetrit, u mundësoi atyre të ndjejnë dhe të shprehin empati, si dhe të përfitojnë udhëzime për të përforcuar këtë shkathtësi si gurthemel i inteligjencës emocionale.

 

Përmes dinamikave të grupit dhe udhëzimeve të psikologëve, pjesëmarrësit gjithashtu përfituan njohuri rreth praktikave të mira për të ngritur vetëmotivimin dhe shkathtësitë sociale.

 

Aktiviteti përfundoi me një vizitë në parkun e Gërmisë, për të vënë në pah përfitimet e natyrës

dhe aktiviteteve rekreative për stimulim, relaksim, reflektim e meditim, të cilat janë elemente tejet të rëndësishme për vetëkujdes e shëndet të mirë psikologjik.

 

Eksperienca të ndryshme u shkëmbyen me njëri-tjetrin dhe studentët patën mundësi që të zhvillojnë tutje vetëndërgjegjësimin e vetërregullimin emocional.