Mbi 20 universiteteve evropiane shprehin interesimin për bashkëpunim me UBT-në

05/05/2015

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi dhe drejtori për çështje akademike në UBT, dr.Ardian Emini qëndruan në Dubrovnik të Kroacisë, ku morën pjesë në një takim organizuar nga DAAD, OAED dhe Zyra Kroate e Programit Erasmus.

 

Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve akademike nga shumë shtete të rajonit dhe më gjerë nga vendet e Evropës.

 

Rektori Hajrizi dhe drejtori Emini zhvilluan një varg takimesh me përfaqësues të mbi 20 universiteteve nga Gjermania, Austria, Sllovenia, Kroacia e vende të tjera, të cilët kanë shprehur interesimin për bashkëpunim me UBT-në në fushën e mobilitetit, ndërtimit të kapaciteteve dhe në partneritetet strategjike.

 

“Takimet e shumta me drejtues universitetesh prestigjioze dhe interesimi i tyre për vendosjen e bashkëpunimit me UBT është një lajm shumë i mirë dhe krijon mundësi shumë të mëdha për studentët dhe stafin e UBT-së”, theksoi dr.Hajrizi.

UBT ishte i vetmi institucion nga Kosova, pjesëmarrës në takimin e Dubrovnikut.