Mbahet takimi i Bordit Industrial të UBT-së dhe përfaqësuesve të industrisë ushqimore

05/11/2019

Bordi Industrial i UBT-së ka mbajtur takimin e radhës me përfaqësues të kompanive dhe bizneseve nga industria ushqimore. Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëbisedimi rreth mundësive të bashkëpunimit, në mënyrë t’u mundësohet puna praktike studentëve të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, gjithnjë me mundësi punësimi.

 

Në këtë takim, përveç përfaqësuesve të kompanive, morën pjesë edhe dekani i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, Fidan Feka, si dhe koordinatorët e Bordit Industrial, Medin Zeqiri dhe Ismet Babaj.

 

Gjatë këtij takimi u tha se studentët e UBT-së, falë njohurive të fituara gjatë studimeve, veç tjerash mund të ndihmojnë bizneset në dhënien e ekspertizave profesionale, sidomos në nxjerrjen e produkteve të reja në treg.

 

Bordi Industrial i UBT-së në bashkëpunim me Fakultetin Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, angazhohen gjithnjë për të krijuar mundësi të reja që lidhen me përgatitjen profesionale të studentëve. Bashkërisht, diskutojnë dhe nxjerrin konkludime rreth programit aktual të studimit dhe specializimeve, si dhe për hartimin e programeve të reja të studimit të ngjashme me këtë fushë.

 

Bordi Industrial i UBT-së së bashku me stafin akademik, po ashtu ndihmon bizneset që janë në proces të akreditimit në përgatitjen e dokumentacionit për certifikimin e produkteve ekzistuese apo të reja.