Ligjëruesja Ines Bula sjell në Kosovë titullin e shkencëtares së re më të mirë

24/09/2018

Ish-studentja e UBT-së, tash ligjëruese, PhD Cand. Ines Bula është përzgjedhur si shkencëtarja e re më e mirë në konferencën ndërkombëtare “TECIS 2018, duke lënë kështu prapa shkencore qindra shkencëtarë nga 38 vende pjesëmarrëse, të cilët u mblodhën në Baku të Azerbajxhanit për të shfaqur kërkimet dhe gjetjet e tyre shkencore.

Ky çmim ka ardhur si rezultat i punës së saj shkencore në temën “Robotët nga mbetjet mekatronike- Roboti Lypsar”, që është njëherësh edhe temë në kuadër të studimeve të doktoratës.

 

Roboti Lypsar si produkt i këtij hulumtimi është kryer tërësisht në laboratorët e UBT-së, me ndihmën e rektorit të UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, ligjëruesit Valmir Hoxha dhe disa studentëve të Fakultetit të Mekatronikës në UBT.

Punimi propozon një mundësi të re të përdorimit të mbetjeve mekatronike, që është ndërtimi i robotëve, ide e cila është mbështetur dhe pëlqyer nga mbarë komiteti shkencor i konferencës, që ndikoi që edhe të përzgjidhej si më i miri.

 

Këta robotë janë të orientuar në kosto të ulët, janë funksionalë për kërkesa të ndryshme, ndihmojnë në procesin e edukimit dhe që ndihmojnë në ruajtjen e ambientit, përmes futjes në funksion të mbetjeve mekatronike.

Të gjitha këto kanë ndikuar në krijimin e një modeli të ri mbi atë se si mund të fillojmë të marrim pjesë nga niveli individual në krijimin e strategjive të reja të trajtimit të mbeturinave mekatronike.

 

Vetë autorja, Ines Bula thekson se pa mbështetjen e UBT-së nuk do të mund të arrinte këto rezultate, të cilat dëshmojnë për nivelin e lartë të të bërit shkencë në UBT.

“Si studente e mëhershme e nivelit master në fushën e mekatronikës, kam pasur përkrahje të vazhdueshme nga ana e rektorit, jo vetëm si pjesë e ekipit të UBT-së, por më është mundësuar zhvillimi i mëtejshëm i doktoratës në Universitetin Teknik të Vjenës, ku me njohuritë e përfituara atje do të ndihmojë në zhvillimin akademik të gjeneratave të reja”, tha Bula.

 

UBT ka arritur ta prezantojë Kosovën me 15 punime shkencore dhe një delegacion shumë të përgatitur profesionalisht në edicionin e 18-të të konferencës “TECIS 2018”, teksa dy nga këto punime, nga pesë gjithsej, kanë qenë të nominuara për çmimin “Shkencëtari më i mirë i ri”.