Ligjëruesja Fitore Isufi dhe studentët e UBT-së realizuan një vepër unike artistike
17/10/2019Ligjëruesja Fitore Isufi, në bashkëpunim me studentët e Arkitekturës dhe ata të Dizajnit të Integruar, Sami Podvorica, Kushtrim Lushtaku dhe Djellza Bullaku, si pjesë e ekipit punues, kanë realizuar intervenimi artistik, të titulluar “Flirting with leftovers”, në ish-restorant Marsi, ku ky intervenim shpalosi më shumë për historinë e këtij objekti, por edhe provokoi ndjesinë e përjetimit të vetë prezencës së objektit si eksperiencë.
Ish-restorant Marsi, ende i pa studiuar për vlerat arkitektonike, historike, kulturore dhe sociale, ka ngelur si udhëkryq edhe për vetë përcaktuesit e fatit të tij. Prandaj, përpos hulumtimit dhe mbledhjes së memories kolektive, studentët e Arkitekturës dhe ata të Dizajnit, e kanë shpalosur vizionin e tyre mbi këtë objekt, duke ofruar zgjidhje përmes alternativave të ndryshme të rifunksionalizimit të këtij objekti.
Ish-restorant Marsi, është objekt i braktisur, që i takon periudhës së ndërtesave modeniste, i cili gjendet tek lagjja Kodra e Trimave, në Prishtinë. Është ndërtuar në fund të viteve 70 –ta, si vetëshërbim i NSHT ‘Voçari’. Në vitin 1995 nga vetëshërbimi është shndërruar në restorant. Pas luftës së fundit, ky vend ka qenë klub nate, ndërsa prej vitit 2003 ka mbetur i braktisur.
Në bashkëbisedim me përfaqësues të institucioneve publike, NGO-ve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, kuptohet që është bërë shumë pak në revitalizimin apo rifunksionalizimin e këtyre objekteve.