Ligjëratë mbi shumëgjuhësinë në BE për studentët e UBT-së
06/12/2024Në kuadër të projektit Jean Monnet “Advancing Kosovo’s European Integration Through Learning About the EU” (AKIL-EU), studentët e UBT-së ndoqën ligjëratën e radhës të mbajtur nga Prof. Assoc. Dr. Manjola Zaçellari, me temë: “Shumëgjuhësia në Bashkimin Evropian”. Kjo ligjëratë është pjesë e ciklit prej 15 ligjëratash të organizuara në kuadër të këtij projekti.
Gjatë ligjëratës dhe diskutimeve interaktive me studentët, u theksua rëndësia e shumëgjuhësisë si një shprehje e pasurive kulturore dhe identiteteve të vendeve anëtare të BE-së. U vu në dukje gjithashtu roli i saj thelbësor në ruajtjen e demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies në nivel evropian.
Në këtë kuadër, u diskutua edhe për situatën gjuhësore në Kosovë, duke u theksuar se diversiteti gjuhësor është pjesë e ADN-së së Evropës dhe një vlerë që duhet ruajtur dhe promovuar.
Ky aktivitet përforcon angazhimin e UBT-së për të ndihmuar studentët në zhvillimin e një kuptimi më të thellë të parimeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian.