Lansohet për herë të parë në Kosovë prototipi i nanosatelitit CubeSat

29/09/2021

Përbrenda UBT-së sukseset nuk kanë të ndalur, suksese këto që tejkalojnë kufijtë e me vete e marrin edhe imazhin e Kosovës.

 

Ekipi i robotikës i përbërë nga Elta Bajrami, Vlera Saraçi, Riona Krosa, Alba Ratkoceri dhe Mërgita Alija që po përfaqësojnë Kosovën në garën ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge, nën monitorimin e Elita Hajrizit dhe me asistim të mentorëve Ron Kasemi dhe Arxhend Jetullahu kanë lansuar prototipin e nanosatelitit CubeSat, i pari i ndërtuar dhe i lansuar në Kosovë.

 

CubeSat ka kaluar lartësinë e fluturimit të aeroplanëve komercialë duke kaluar troposferën dhe duke arritur në stratosferë, teksa në përbërje ky lloj i prototipit i cili është i bazuar në Arduino CubeSat ka një mikrokontrollues, aparat fotografik, si dhe senzor mjedisor.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka përgëzuar ekipin përfaqësues të Kosovës që udhëhiqet nga UBT për këtë sukses, duke thënë se përkrahja e të rinjve është një nga qëllimet parësore që UBT i ka vënë vetes që nga themelimi.

 

“UBT do të vazhdojë të ndihmojë të rinjtë e me theks të veçantë vajzat e Kosovës në arritjen e kompetencave të bazuara në STEM si qëllime të mileniumit, duke e pozicionuar Kosovën në top ranglistat botërore. Deri më tani kemi bërë implementimin e shumicës së teknologjisë moderne, duke përfshirë robotikën, 3D printing, intelegjencën artificiale, programimin, 5G, realitet virtual, mekatronikë dhe energji e tani jemi të lumtur edhe me suksesin që lidhet me hapësiren dhe satelitët”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

CubeSat u hartua dhe ndërtua në laboratorin e mekatronikës në UBT, me asistimin e mentorëve të UBT-së, me ndihmën e pajisjeve më të sofistikuara që posedon ky institucion inovativ.

 

Edhe këtë vit Kosova do të përfaqësohet përmes UBT-së në garën më të madhe të robotikës, FIRST Global Challenge, në një garë me 170 shtete pjesëmarrëse në të cilën Kosova përfaqësohet dhe kërkon triumfin përmes një ekipi inovatorësh të rinj.