Laboratori i mekatronikës, vendi ku jetësohen projekte inovative të studentëve
09/01/2019“CNC Makinat”, “VRobot”, “Smart House”, robotët autonomë dhe krahë të ndryshëm robotikë, janë vetëm disa nga shumë projekte të realizuara në laboratorin e mekatronikës në UBT, të cilin e shfrytëzojnë studentët e UBT-së për t’i dhënë jetë ideve të tyre inovative.
Falë këtij laboratori, për vite me radhë janë diplomuar gjenerata të tëra të inxhinierëve të mekatronikës, të cilët janë shumë të kërkuar në tregun e punës, për shkak të bazës praktike që e kanë marrë gjatë viteve të studimeve.
Kjo hapësirë punuese u mundëson studentëve që të kenë një përvojë unike me sistemet inxhinierike të jetës së përditshme, dhe po ashtu, të krijojnë dhe të realizojnë idetë e tyre të reja për zgjidhjen e problemeve të kësaj fushe.
Pasi që mekatronika është një fushë multidiciplinare, laboratori ka hapësirë të punës në sektorë të ndarë. Në hapësirën e veglave mekanike, realizohen prerjet, shpimet, saldimet me veglat përkatëse të punës.
Në pjesën e elektronikës gjenden multimetrat si instrumente bazë, pastaj oscilloscop-in dhe gjeneruesi i sinjaleve për analiza të detajuara të qarqeve.
Në pjesën e kontrollit përfshihet programimi i mikrokontrollerëve. Sa i përket projekteve punuese në laborator, shumica prej tyre realizohen me mikrokontrollerin “Arduino Uno”, teksa për përgatitje për industri, atyre u mësohet edhe programimi i PLC-së.
Projektet që realizohen në këtë laborator bazohen në lëndët e studimit të studentëve, e në kuadër të tyre janë realizuar shumë projekte të cilat kanë marrë pjesë në shumë organizime shkencore të nivelit regjional.
Disa nga projektet të cilat janë realizuar në laboratorin e mekatronikës janë: CNC Makinat, krahë të ndryshëm robotikë, Smart House, robot autonom, etj.
VRobot është një projekt tjetër i cili është realizuar në laboratorin e mekatronikës dhe që është prezantuar si ide në DokuTech, në Prizren. Ky projekt u vlerësua shumë për nga ideja e ndërlidhjes së realitetit virtual me fushën e robotikës.
Projekti i cili mori pjesë në shumë festivale është edhe “Smart House”, që prezantoi implementimin e një sistemi për kontroll të mençur me qasje nga telefoni.
Ky laborator është gjithmonë në dispozicion të studentëve, të cilët në mënyrë të vazhdueshme përkrahen edhe nga stafi akademik. Përpos studentëve, laboratorin e kanë shfrytëzuar edhe nxënësit e shkollave të mesme për ndërtimin e disa robotëve me pjesëmarrje në gara vendore dhe ndërkombëtare.
Qasja e stafit akademik, kombinimi i teorisë me pjesën praktike që realizohet në laborator dhe mundësitë që iu ofron UBT studentëve, bën që gjeneratat e reja të fitojnë aftësinë e zgjidhjeve të problemeve të ndryshme inxhinierike, si dhe të krijojnë intuitën e një inxhinieri për të cilin ka nevojë tregu vendor dhe ai ndërkombëtar.