Kryeshefi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës ligjëroi para studentëve të UBT-së për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës

24/01/2019

Kyeshefi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, Fidami Sahiti ka mbajtur ligjëratë tematike për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, gjatë së cilës ai trajtoi temën më titull: “Struktura, funksioni dhe zhvillimi i shërbimit gjeologjik të Kosovës, si mekanizëm në shërbim të hulumtimeve shkencore në fushën e gjeologjisë, përfshirë edhe fushën e ndërtimit”.

 

Sahiti bëri një prezantim përmbledhës në lidhje me Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, duke vënë në pah mundësitë që ka ky institucion, që t’iu dalë në ndihmë dhe të përkrahë studentët për të zhvilluar dhe avancuar dijet dhe shkathtësitë e tyre në fushën e ndërtimit, me theks të veçantë në fushën specialistike të materialeve të ndërtimit.

Ai tregoi se në SHGJK ka një numër të konsiderueshëm të pajisjeve dhe instrumenteve, përmes të cilave mund të realizohen, kryhen studime dhe analiza-teste të mostrave të dheut dhe shkëmbit, që përdoren në fushën e ndërtimit.

 

Gjatë kësaj ligjërate tematike studentet patë rast të njihen edhe me disa pajisje të reja për kërkime shkencore që ka Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, ndërkohë që Sahiti bëri edhe disa demonstrime praktike, respektivisht matje në kampion betoni me pajisjet NITON, me qëllim të përcaktimit të përbërjes petrografike dhe mineralogjike të kampionit-mostrës së betonit.