KRU “Prishtina” ofron mundësi për punë praktike për studentët e UBT-së

07/09/2017
Një delegacion i UBT-së, i përbërë nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, prof. dr Muhamet Ahmeti, prodekani i këtij fakulteti, prof. dr Visar Krelani dhe ligjëruesi në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, prof. dr Binak Beqaj, vizituan kompaninë e ujësjellësit rajonal, “Prishtina”, me ç’rast u pritën nga drejtori gjeneral i kësaj kompanie, Ilir Abdullahu dhe nga drejtori teknik, Sokol Xhafa.
Abdullahu e Xhafa i njoftuan përfaqësuesit e UBT-së me gjendjen aktuale të kompanisë që ata e udhëheqin, me sukseset, problemet, si dhe me projektet që planifikohen të përfundohen në vitet në vazhdim. Ata, duke i parë rezultatet dhe punën e mirë që po e bëjnë studentët e UBT-së që janë të angazhuar në kompaninë Bechtel Enka, konkretisht në autostradën “Arbën Xhaferi”, shprehën dëshirën dhe gatishmërinë për ofrimin e mundësisë për përfundimin e praktikës profesionale për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në KRU “Prishtina”, për një periudhë më të gjatë kohore.
Gjatë kohës së kryerjes së praktikës në këtë kompani, studentët do të njihen me të gjitha fazat e punimit , përpunimit dhe shpërndarjes së ujit ne ketë kompani , po ashtu ata do të informohen edhe me pjesën menaxhimit, andaj përfaqësuesit e të dy institucioneve u pajtuan që sa më shpejt të fillohet me grupet e para të studentëve, të cilët do të angazhohen si praktikantë në këtë kompani.
Vlen të theksohet se UBT dhe kompania rajonale e ujësjellësit, “Prishtina”, kanë marrëveshje bashkëpunimi në sfera të ndryshme, përfshirë bashkëpunimin në projekte të ndryshme infrastrukturore , në hulumtime , punime shkencore, pastaj për organizim të konferencave të përbashkëta shkencore, si dhe për dërgimin e studentëve në këtë kompani, me qëllim të realizimit të vizitave studimore dhe për të kryer punë praktike.