Kosova zë vendin e parë në shtetin që ende nuk e ka njohur pavarësinë e vendit  

22/09/2018

UBT ka arritur ta prezantojë Kosovën me 15 punime shkencore dhe një delegacion shumë të përgatitur profesionalisht në edicionin e 18-të të konferencës “TECIS 2018”, organizuar nën ombrellën e IFAC (International Federation of Automatic Control), që u mbajt në Baku të Azerbajxhanit.

 

Si të vetmit pjesëmarrës nga Kosova, duke pasur parasysh rrethanat politike për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, Qeveria e Azerbajxhanit ka ndihmuar në lehtësimin e procedurave për pjesëmarrësit nga Kosova.

 

Në këtë konferencë shpërblehen edhe shkencëtarët e rinj më të mirë dhe nga qindra punime shkencore u zgjodhën pesë më të mirat, e që në këtë listë të ngushtë ia dolën të hynin dy punime nga UBT, të realizuara nga ligjëruesit, Valmir Hoxha dhe Ines Bula, me ç’rast kjo e fundit u shpall “Shkencëtarja më e mirë e re”.

Me këtë, UBT dëshmoi jo vetëm që është pranues, por edhe partner i barabartë në dhënien e kontributit për ngritjen e vlerave shkencore në botë.

 

Rezultatet e arritura të UBT-së bënë që Kosova të jetë kandidat për mbajtjen e konferencës së radhës “TECIS”, teksa të njëjtën konferencë UBT e ka organizuar edhe tri herë të tjera ndër vite.

 

Delegacioni nga UBT zhvilloi edhe disa takime me përfaqësues të universiteteve të atjeshme, me të cilët u pajtuan për fillimin e bashkëpunimeve të reja ndëruniversitare.

Deri tani, UBT ka mbi 300 institucione partnere dhe këtë mundësi e ka shfrytëzuar për të ushtruar diplomaci edhe tek vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet.